Autoritetet e Kosovës, nëpërmjet, projekteve të ndryshme po mundohet që potencialin politik, social dhe ekonomik të diasporës ta aktivizojë në Kosovë, thonë zyrtarë të Ministrisë së Diasporës në Qeverinë e Kosovës.
Ata tregojnë se janë fokusuar në promovimin dhe avancimin e të drejtave politike dhe sociale të diasporës, ruajtjen e identitetit dhe fuqizimin e lidhjeve me ta, si dhe përfshirjen e tyre në zhvillimin socio -ekonomik të vendit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Diasporës, Lorik Pustina, tregon se në të gjitha këto pika, kanë filluar proceset e bashkëpunimit me diasporën.
Sipas tij, bashkëpunimi do të jetë i ndërsjellë dhe se përfitimi do të jetë i dyanshëm
“Ka kaluar ajo [kohë] kur diaspora jonë do të shihej vetëm një aset i sjelljes së remitencave në Kosovë dhe ato përdoreshin për konsum të përditshëm. Tani, përmes projekteve të ndryshme, nxitjeve të ndryshme, diaspora do të jetë hisenik në bashkëqeverisje dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Ministrisë së Diasporës, në mënyrë që përftimi të jetë i dyanshëm”, thotë Pustina.
Ai thekson se Qeveria e Kosovës do t’iu ofrojë mundësi qytetarëve të saj që kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, që ata të jenë drejtpërdrejtë të inkuadruar në të gjitha fushat në Kosovë.
Qytetarët e Kosovës, të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.
Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e gjysmë miliard eurove, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.
Qeveria e Kosovës në programin qeverisës ka paraparë që të angazhohet maksimalisht për të shndërruar potencialin ekonomik të diasporës në një mundësi të jashtëzakonshme që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë.
Lidhur me këtë, Pustina thekson se ka një interesim të madh të investitorëve nga diaspora, që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë,mirëpo problemet me infrastrukturë të përgjithshme, janë pengesa për ardhjen e tyre.
“Janë diskutuar dhe do të gjendet zgjidhje edhe për këto probleme, të cilat i kanë investitorët. Megjithatë, gatishmëria dhe vullneti i diasporës për të investuar, ekziston. Tani kemi një numër të madh të bizneseve nga diaspora, por më përmirësimin e ambienti afarist besoj që këto investime do të rriten”, ka shtuar Pustina.
Njëra nga kompanitë nga diaspora që ka investuar në Kosovës është, kompania “Eurofol-Kunstoffe Group GmbH” nga Siegeni i Gjermanisë, e cila merret me prodhimin e stofit dhe riciklimin e plastikës.
Kjo kompani, biznesin e saj e ka të shtrirë në qytetin e Ferizajt.
Bashkim Mustafa, pronar në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova problemin më të madh e ka zbatimin e ligjeve.
“Kosova, të vetmin problem që e ka, ka të bëjë me institucionet, me shtetin. Shteti nuk i zbaton rregullat ashtu siç janë të shkruara në letra. Sikur gjithçka të zbatohej, Kosova do të ishte një vend parajsë për biznes”, thotë Mustafa.
Mustafa shton se në disa aspekte, Kosova ofron kushte më të mira për të investuar, se sa që ofrohen në Gjermani apo në vendet tjera evropiane.