Tadiq: Raporte katastrofale Serbi - Mali i Zi

Boris Tadiq

Lideri i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, Boris Tadiq, ish-president i këtij vendi, ka vlerësuar sot se pohimet e zyrtarëve serbë dhe malazezë për mafian malazeze dhe për pretendimet për përpjekje për grushtshtet në Podgoricë, tregojnë se marrëdhëniet e dy vendeve janë katastrofale.

Mëtutje, gjatë një konference të sotme për gazetarë në Beograd ai ka theksuar se këto pohime mund të jenë “gënjeshtër e madhe”.

Zoti Tadiq ka vlerësuar se nga rezultatet e zgjedhjeve në Mal të Zi më domethënëse është informata se një grup, që kishte ardhur nga Serbia, sipas deklaratave të zyrtarëve të Malit të Zi, ishte përpjekur të kryejë grushtshtet, raporton agjencia Beta nga Beogradi.

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka përkujtuar se gjatë 24 orëve të kaluara nga Serbia janë dëgjuar konstatime se mafia malazeze po vranë nëpër Beograd.

“Kjo është dëshmi e raporteve katastrofale ndërmjet dy vendeve ose kjo është gënjeshtër e madhe”, tha Tadiq dhe ka shtuar se për të gjitha këto duhet të zhvillohen hetime.

Tadiq tha se, në Serbi, po ashtu, ishte “montuar puç shtetëror” dhe se duhet të zhvillohen hetime se a është i njejti “dorëshkrim”.