Rreth 7,000 bashkëpunëtorë të Shtetit Islamik thuhet të jenë në Irak

Flamuri i grupit militant, Shteti Islamik

Zyrtarë të sigurisë në Irak kanë thënë se në këtë vend vazhdojnë të mbesin rreth 7,000 bashkëpunëtorë të Shtetit Islamik, pas rënies së Mosulit.

Në Mosul, lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, pati shpallur kalifatin e tyre, tri vite më parë.

Zyrtarë nga Intelegjenca në Irak, i kanë thënë Associated Press se afërsisht janë 4,000 militantë dhe 3,000 mbështetës të cilat janë punësuar nga grupi ekstremist dhe u janë dhënë paga.

Sipas tyre në Siri janë 7,000 militantë dhe 5,000 mbështetës.

Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti pasi sipas tyre ata nuk janë të autorizuar për t’u deklaruar para mediave.

Më 10 korrik, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka deklaruar çlirimin e Mosulit, pas nëntë muajsh luftime shkatërruese.

Disa ditë më vonë, komandanti i forcave që mbështeten nga SHBA-ja në Siri dhe Irak, Stephen Townsend, pati deklaraur se beteja në Irak dhe ndaj Shtetit Islamik nuk ka përfunduar.

Ka disa muaj që raportohet se lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë, mirëpo zyrtarët e Intelegjencës në Irak, i kanë thënë Associated Press, se ai është ende gjallë.