Tillerson: “Shqetësim i thellë” për burgosjet në Turqi

Pamje nga takimi i sekretarit Tillerson (majtas) me ministrin e jashtëm turk Cavusoglu në Ankara më 30 mars të këtij viti

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me arrestimin e dy pjesëtarëve të personelit dioplomatik amerikan në Turqi, ka njoftuar mbrëmë Departamenti amerikan i shtetit.

Në bisedën telefonike me ministrin e jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, Tillerson, po ashtu, ka kërkuar që qeveria e Turqisë të paraqes prova lidhur me akuzat kundër të punësuarve.

Biseda telefonike ndërmjet dy zyrtarëve të lartë ishte e para e këtij lloji prej shpërthimit të krizës diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, që janë aleatë shumëvjeçar në NATO.

Sipas mediave turke, kjo bisedë ka zgjatur gati gjysmë ore.