Kosova hyn në agjendë për anëtarësim në Interpol

Ilustrim

Me shumicë votash, në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të Interpolit në Lion të Francës, u vendos që Kosova të jetë sërish në agjendë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, njoftoi ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Sipas tij, Kosova pret që në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe, të bëhet anëtare e barabartë e organizatës ndërkombëtare të policisë.

“Një lajm shumë i mirë për vendin tonë. Kosova rikonfirmohet edhe një herë në agjendë për t'u anëtarësuar në Interpol. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol nuk përbën kërcënim për askënd. Kosova në Interpol i kontribuon luftës globale kundër krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomeneve tjera kriminale”, shkroi Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Kosova ka aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në Interpol.

Ajo është futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila është mbajtur më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin.

Përderisa territori palestinez dhe Ishujt Solomon janë pranuar në këtë organizatë, Kosova e ka tërhequr kandidaturën e saj pasi ka marrë informata se anëtarësimi mund të mos përkrahej nga vendet anëtare.