Qeveria e Serbisë tha se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në takim me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, në Nju Jork, tha se për OKB-në, "Kosova nuk është shtet".
Sipas Qeverisë në Beograd, Guterres tha se OKB-ja do ta mbështesë marrëveshjen eventuale midis Beogradit dhe Prishtinës, për normalizimin e marrëdhënieve.
Bërnabiq, në anën tjetër, tha se Serbia merr pjesë aktive në misionet paqeruajtëse të OKB-së dhe se është në interesin e saj që misioni i UNMIK-ut të mbetet në Kosovë.
"Është në interes të Serbisë që UNMIK të mbetet në Kosovë në numër të pazvogëluar dhe me mandat të njëjtë", tha Bërnabiq, raportojnë mediat në Beograd.
Në takim mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili e ftoi Guterresin të vizitojë Serbinë.