Wilson: Dialogu Kosovë-Serbi në krye të agjendës

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson.

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, qëndroi sot në Kosovë, ku takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit.

Në një postim në Twitter, Wilson tha se "dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit është në krye të agjendës, por edhe reformat e nevojshme për një të ardhme më të ndritur për rininë e Kosovës".

Wilson, i shoqëruar nga një delegacion nga Senati dhe Kongresi amerikan, u prit fillimisht nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Presidentit thuhet se në këtë takim u bisedua, mes tjerash, për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe “domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese”.

“Mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe u hap rrugë elementeve anti-evropiane”, tha Thaçi.

Wilson, në anën tjetër, e rikonfirmoi, siç tha, angazhimin e Këshillit të Atlantikut për Kosovën.

Ai u prit në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Kosova është e gatshme për "një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues".

Kosova është në proces të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Dialogu aktualisht ka ngecur si pasojë e një takse që Kosova u ka vënë mallrave të importuara nga Serbia.

Megjithatë, të dyja palët janë zotuar se do të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila është edhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian.