Emri i kryeministrit të ri të Britanisë pritet të bëhet publik të martën, derisa në garë për këtë pozitë janë Boris Johnson dhe Jeremy Hunt.
Rezultati i votimit të rreth 160,000 anëtarëve të Partisë Konservatore do të kuptohet më vonë gjatë ditës në Londër.
Fituesi do të kthehet zyrtarisht në kryeministër gjatë ditës së mëkurë.
Johnson, ish-kryetar i Londrës, konsiderohet favorit për këtë pozitë.
Kryeministrja britanike, Theresa May, e cila ka dhënë dorëheqje në shenjë revolte pas mospërkrahjes së politikës së saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian, do të drejtojë mbledhjen e fundit të kabinetit britanik, ditën e martë.
Fushata për të fituar pozitën e liderit të Partisë Konservatore dhe rrjedhimisht edhe të kryeministrit është dominuar nga diskutimet për Brexit.
Hunt, Sekretar i Jashtëm britanik, ka thënë se synon të sigurojë një Brexit me marrëveshje.
Johnson në anën tjetër ka thënë se kërkon që patjetër të largojë Britaninë nga BE-ja më 31 tetor, duke përfshirë mundësinë e largimit pa marrëveshje.
Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.