Kosova shënon fitore ndaj Malit të Zi në kualifikimet për EURO 2020

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka shënuar fitore ndaj Kombëtares së Malit të Zi me rezultat 2:0. Ndeshja u zhvillua të hënën, në stadiumin ''Fadil Vokrri'' në Prishtinë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian - EURO 2020.

Golin e parë në minutën e dhjetë të ndeshjes e shënoi Amir Rrahmani, ndërkaq të dytin Vedat Muriqi në minutën e 34 të ndeshjes.

Kosova është në të njëjtin grup kualifikues për Kampionatin Evropian me Çekinë, Anglinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Ekipi Kombëtar i Kosovës që është vetëm një pikë larg vendit të dytë në kualifikimet për EURO 2020, në dy ndeshjet e radhës do të ballafaqohet me Çekinë, më 14 nëntor në Pragë dhe me Anglinë, më 17 nëntor, në Prishtinë.

Dy ekipet e para në grup sigurojnë kualifikimin dhe pjesëmarrjen në kampionatin evropian që do te mbahet më 2020.