I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad ka thënë se bisedimet për paqe me talibanët do të pezullohen përkohësisht pasi militantët e këtij grupi kanë kryer sulm në bazën ushtarake amerikane afër Kabulit.
Si pasojë e sulmit të talibanëve afër bazës ushtarake të SHBA-së në Bagram kanë vdekur të paktën dy afganë dhe janë plagosur më shumë se 70 persona të tjerë, duke përfshirë pesë ushtarë gjeorgjianë.
Sulmi i 11 dhjetorit, që ka përfshirë të paktën një sulm me makinë bombë, ka ardhur në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë rinisur bisedimet me talibanët, tre muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka ndalur negociatat për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.
“Kur kam takuar talibanët, kam shprehur zemërim për sulmin në Bagram, që ka vrarë dy persona dhe ka plagosur dhjetëra civilë”, ka thënë diplomati amerikan me prejardhje afgane.
“Talibanët duhet të tregojnë se kanë gatishmëri për t’iu përgjigjur dëshirës afgane për paqe”, ka thënë mes tjerash ai.
Rifillimi i bisedimeve ka ndodhur pas vizitës së papritur të Trumpit për Festën e Falënderimeve te trupat ushtarake amerikane në Afganistan më 28 nëntor.
Ndërhyrja e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s ka rrëzuar talibanët nga pushteti në Afganistan, në vitin 2001.