Contour Global tërhiqet nga Kosova e Re

Termocentrali në Obiliq. Foto nga arkivi.

Kompania Contour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë.

Sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, tha po ashtu Contour Global.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe thonë se do të çonte në rritje të çmimit të rrymës për qytetarët.

Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Opozita e quan humbje të madhe vendimin e Contour Global

Partia Demokratike e Kosovës, partia më e madhe opozitare në Kosovë e konsideron humbje të madhe vendimin e kompanisë amerikane “Contour Global” për t’u larguar përfundimisht nga Kosova si dhe heqjen dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.

“Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre. Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë”, thuhet në një komunitatë të PDK-së.