Agjencia për të drejtat e fëmijëve e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, bëri thirrje që para çdo vendimi për mbyllje të shkollave për shkak të pandemisë, të merret për bazë edhe kostoja e “mbajtjes së nxënësve jashtë shkollave”.
Sipas kësaj organizate, kjo kosto, “është shumë më vështirë për t’u kompensuar se dëmtimi i ekonomisë, dhe mund të zgjasë edhe për një brez të tërë”.
Përmes një komunikate, UNICEF-zyra në Prishtinë, thotë se “derisa Kosova po përballet me një nivel më të lartë të infektimit me COVID- 19 sesa më parë gjatë pandemisë, interesat më të mira të fëmijëve duhet të jenë thelbësore për sa i përket kohës dhe mënyrës se si të mbahen të hapura shkollat”.
“Në fillim të këtij viti, mbyllja e shkollave preku rreth 345,000 fëmijë dhe adoleshentë në Kosovë, dhe mungesa e lojës, shoqërimit dhe ndërveprimit me mësimdhënësit mund të ndikojë shumë në mirëqenien dhe zhvillimin psikosocial të fëmijëve dhe adoleshentëve”, thotë kjo organizatë.
SHIKONI EDHE:
Pse organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje që shkollat të qëndrojnë të hapura gjatë pandemisë?Në Kosovë, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vetëm 31 shkolla janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht që kur u rihapën në muajin shtator.
Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha: “Së bashku me partnerët tanë, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë dhe rrisim mbështetjen tonë për shkollat, në mënyrë që ato të mbyllen të fundit dhe të rihapen të parat”.
UNICEF-i në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka zhvilluar një hulumtim lidhur me rihapjen e shkollave për vitin akademik 2020/2021.
“Shumica e raportuesve (62%) ndiheshin të lumtur për rihapjen e shkollave dhe dëshironin të vazhdonin mësimin brenda shkollës gjatë këtij viti akademik . Më shumë se gjysma e tyre ndiheshin të sigurt se nxënësit janë mjaft të informuar për masat parandaluese rreth COVID-19. Mësimi në distance u konsiderua si jo i kënaqshëm nga 1 në 3 raportues të moshës 15 deri në 19 vjeç”, tha UNICEF.
SHIKONI EDHE:
Autoritetet e konsiderojnë "serioze" situatën epidemiologjike në KosovëInstituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, tha të enjten se janë regjistruar edhe 661 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Rastet e reja – që përbëjnë shifrën më të lartë të infektimeve brenda një dite në Kosovë që prej fillimit të pandemisë – dolën pas testimit të 1,617 mostrave.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 22,206. Prej tyre, 720 pacientë kanë vdekur dhe 15,921 janë shëruar.
Ndërkaq, raste aktive janë 5,565.