Twitter tha se ka mbyllur për 12 orë llogarinë e presidentit në largim të Shtetetve të Bashkuara, Donald Trump, për shkak të disa postimeve të tij në lidhje me zgjedhjet.
“Si rezultat i situatës së paparë dhe dhunës së vazhdueshme në Uashington, kemi kërkuar heqjen e tre postimeve nga [llogaria] @realDonaldTrump - të cilat janë bërë gjatë ditës së sotme - për shkak të shkeljeve të përsëritura dhe të rënda të politikës sonë të Integritetit Civil”, tha platforma sociale.
Nëse Trump nuk i heq tre postimet, llogaria do të mbetet e mbyllur.
Twitter gjithashtu paralajmëroi se shkeljet e ardhshme të integritetit ose politikave të kërcënimit “do të rezultojnë me pezullim të përhershëm të llogarisë @realDonaldTrump”.
Ndërkohë, Facebook ndaloi llogarinë e Trumpit për 24 orë. YouTube gjithashtu hoqi një video. Facebook tha: "Ne e hoqëm atë pasi besojmë se ajo kontribuon, në vend që të zvogëlojë rrezikun e dhunës së vazhdueshme".
Të mërkurën, mbështetës të dhunshëm të Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, e cila po mbante një seancë për konfirmimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Mesazhi i Trumpit për protestuesit, derisa ata sulmuan Kongresin, u hoq nga Facebook, YouTube dhe Twitter.
Trump u bëri thirrje mbështetësve që të shkojnë në shtëpi, por gjithashtu përsëriti pretendimet e pabazuara për mashtrime në zgjedhje.
Facebook tha: “Ne e hoqëm atë, sepse besojmë se kontribuon në dhunën e vazhdueshme dhe nuk e zvogëlon rrezikun”.
YouTube tha se e hoqi videon sepse "shkelte politikat për përhapjen e mashtrimit zgjedhor".
Twitter fillimisht nuk e hoqi videon, por vetëm mundësitë për ta shpërndarë, pëlqyer ose komentuar.
Megjithatë, më vonë e hoqi.