Kushte çnjerëzore në kampet e Sirisë, thotë ekspertja e OKB-së

Kampi al-Hol në Siri. 8 Janar 2020.

Në kampe të paraburgimit në verilindje të Sirisë ndodhen gra dhe fëmijë nga 57 shtete, tha të hënën, Fionnuala Ni Aolain, një eksperte e Kombeve të Bashkuara, raporton AFP.

Ajo tha se ata po jetojnë në “kushte çnjerëzore” në kampet Al-Hol dhe Roj, që drejtohen nga forcat kurde dhe iu bëri thirrje shteteve të bëjnë riatdhesimin e menjëhershëm të tyre. Sipas saj në kampe janë mbi 64.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

"Shumë prej tyre po përjetojnë një sërë shqetësimesh në lidhje me të drejtat e njeriut. Shtetet duhet të veprojnë në mënyrën e duhur", u tha ajo gazetarëve në Gjenevë, përmes video-lidhjes.

"Në shprehim shqetësimin se kushtet në këto kampe mund të arrijnë pragun e torturave, trajtimit çnjerëzor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar", tha Ni Aolain.

Lexoni edhe këtë: ICG: Të shpejtohet riatdhesimi i grave dhe fëmijëve nga Siria

Fionnuala Ni Aolain është Raportuese e Posaçme për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër terrorizmit në zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Ajo tha se thirrja e saj mbështetet edhe nga dhjetëra ekspertë tjerë të pavarur.

Zyrtarja e OKB-së tha se për këtë çështje u ka shkruar vendeve, përfshirë Australinë, Bangladeshin, Belgjikën, Britaninë, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Pakistanin, Rusinë, Zvicrën, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Duke u thirrur në shifrat nga qershori i vitit 2020, ajo tha se kampi Al Hol mban rreth 64,000 njerëz, nga të cilët më shumë se 80 për qind ishin gra dhe fëmijë. Rreth 48 për qind e personave në këtë kamp janë irakianë, 37 për qind janë sirianë dhe 15 për qind janë shtetas të vendeve të treta.

Lexoni edhe këtë: Pandemia shtyn kthimin e shtetasve kosovarë nga Siria

Të huajt janë familje të xhihadistëve të grupit militant të ashtuquajtur Shteti Islamik (IS), i cili vuri nën kontroll pjesë të Irakut dhe Sirisë më 2014, por u mposht në vitin 2019. Banorët irakianë dhe sirianë të kampit u larguan nga luftimet e mëvonshme midis IS dhe forcave kurde.

Ajo tha se shtetet nuk duhet të përdorin pandeminë si arsyetim për të mos riatdhesuar shtetasit, duke shtuar se disa vende tashmë e kishin bërë këtë me sukses.