Mianmar: Turma të mëdha kujtojnë gruan e vrarë në protesta

Pamje nga protestat në Mianmar.

Turma të mëdha njerëzish janë parë në kryeqytetin e Mianmarit (Burmas), Nay Pyi Taw, për funeralin e një gruaje të re, e cila është vrarë në protestat kundër puçit ushtarak.

Mya Thwe Thwe Khaing është qëlluar në kokë, pak para se të mbushte 20 vjet.

Ajo është viktima e parë, nga tri në total, që ka vdekur në protesta.

Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë për ta nderuar atë, duke ngritur lart tre gishta, siç shihen zakonisht protestuesit.

SHIKONI EDHE: Revolucioni i një brezi të ri në Mianmar

Ushtria ka rrëzuar qeverinë e këtij vendi më herët gjatë këtij muaji.

Premtimet për të mbajtur zgjedhje të parakohshme kanë dështuar që të kënaqin protestuesit, të cilët janë duke kërkuar lirimin e lideres së zgjedhur Aung San Suu Kyi dhe të anëtarëve tjerë të partisë Liga Kombëtare për Demokraci.

Ushtria supozon se fitorja bindëse e kësaj partie vitin e kaluar është manipuluar, ndonëse nuk ka ofruar të dhëna për këtë pretendim.

Mya Thwe Thwe Khaing, punëtore e një dyqani, është plagosur kur ushtria ka tentuar të shpërndajë protestuesit më herët gjatë këtij muaji.

Protestuesit kanë dalë nëpër rrugët e këtij shteti edhe të dielën, pavarësisht se një ditë më parë është raportuar për dhunën më të rëndë prej kur kanë nisur protestat.