Çështjet rreth racës, të ngritur nga Duka dhe Dukesha e Sussex-it, Harry dhe Meghan janë “shqetësuese” dhe do të adresohen nga familja mbretërore privatisht, ka thënë Pallati Buckingham.
Përmes një deklarate, Pallati ka thënë se pretendimet e bëra në intervistën me Oprah Winfrey “janë marrë me seriozitet”.
Pallati ka thënë se familja mbretërore është “e pikëlluar” prej kur ka mësuar sa sfiduese kanë qenë vitet e fundit për çiftin.
“Harry, Meghan dhe Archie do të jenë gjithmonë pjesëtarë shumë të dashur të familjes”, është thënë në deklaratë.
SHIKONI EDHE:
Princi Harry dhe Meghan flasin për përçarjen mbretërorePresioni për t’u përgjigjur është rritur në Pallatin Buckingham pasi Meghan – pjesëtarja e parë me racë të përzier në historinë moderne të familjes mbretërore – ka thënë se Harry është pyetur nga një pjesëtar i familjes mbretërore se sa “e errët” do të mund të jetë ngjyra e djalit të tyre Archie.
Princi Harry më vonë e ka sqaruar se këto komente nuk janë bërë as nga Mbretëresha Elizabeta II apo Duka i Edinburgut.
Kjo përgjigje ka ardhur pas takimit të ekipit të pallatit për kriza, si pasojë e intervistës që kanë pasur Harry dhe Meghan, në të cilën kanë folur për racizmin, shëndetin mendor, mediat dhe pjesëtarë tjerë të familjes mbretërore.
Harry e ka pranuar se nuk ka lidhje të ngushta me vëllain e tij William, i cili është në rend për marrjen të fronit pas babit të tij, princit Charles.
Ai ka thënë se ka ndjerë se familja e tij nuk e ka mbështetur Meghanin.
Winfrey në një moment ka pyetur Meghanin për ndikimin e kësaj situate në shëndetin e saj mendor dhe presionin që ka pasur.
Ajo është përgjigjur se ka pasur mendime për vetëvrasje dhe ka kërkuar ndihmë përmes departamentit të pallatit për burime njerëzore, mirëpo i kanë thënë se nuk mund të bëjnë asgjë.
Në moment pozitiv i intervistës ka qenë kur Harry dhe Meghan kanë treguar se fëmija i tyre i dytë do të jetë vajzë.