Policia ruse ka arrestuar qindra njerëz në të gjithë vendin derisa ata morën pjesë në protesta duke kërkuar lirimin e liderit të burgosur të opozitës Aleksei Navalny.
Në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin, mbajti fjalimin e tij vjetor, mijëra qytetarë në mbarë Rusinë iu bashkuan protestave të thirrura nga drejtuesit e Fondacionit Kundër Korrupsionit që e udhëheq Navalny.
Qeveria ruse kërkon që ky fondacion të mbyllet duke pretenduar se është një organizatë ekstremiste.
Protestuesit brohorisnin "liri të burgosurve politikë" dhe "ne nuk jemi ekstremistë".
Para mbajtjes së protestave policia arrestoi aleatët e udhëheqësit të burgosur të opozitës.
Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh dhe bashkëpunëtori i kanalit të Navalnyt në Youtube, Lyubov Sobol u arrestuan në Moskë në 21 prill, njoftuan avokatët e tyre.
Ndërkohë, Vladimir Ryzhkov, ish-nënkryetar i dhomës së ulët të parlamentit rus i tha agjencisë së lajmeve TASS se policia e kishte ndaluar atë nën dyshimin e shkeljes së ligjit për mbajtjen e tubimeve masive.
SHIKONI EDHE:
Avokati i Navalnyt thotë se kritiku i Kremlinit duket “keq”Pas arrestimit të aleatëve të ngushtë të Navalnyt ka reaguar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili i quajti veprimet si "të mjera".
"Ndalimi i përkrahësve të Alexei Navalny para mbajtjes së protestave në Rusi është për të ardhur keq", tha Michel, duke shtuar se autoritetet ruse duhet të respektojnë të drejtën e tubimit.
Raportohet për arrestimin edhe të disa bashkëpunëtorëve tjera të Navalnyt në disa qytete të Rusisë.
Protesta në mbarë Rusinë në mbrojtje të Navalnyt
Në të gjithë Rusinë ka prani të shtuar të forcave të policisë, pasi këto konsiderohen si protestat më të mëdha në mbrojtje të Navalnyt. Ekipi i Navalny ka njoftuar protesta në më shumë se 160 qytete ruse për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e tij shëndetësore. Protestuesit kërkojnë që autoritetet e burgut t’ia mundësojnë mjekimin nga ana e mjekëve të pavarur.
Më 19 prill, Alexei Liptser, avokati i politikanit të burgosur opozitar Aleksei Navalny, i cili është në grevë urie tash e tri javë, ka thënë se klienti i tij duket “keq”, duke rritur shqetësimet për shëndetin e tij.
SHIKONI EDHE:
Paralajmërohen protesta masive në Rusi “për ruajtjen e jetës së Navalnyt”Lipster është takuar shkurt me Navalnyn më 19 prill dhe ka thënë se ndonëse situata “po përkeqësohet”, 44-vjeçari është i vendosur të vazhdojë grevën e urisë, pavarësisht gjendjes shëndetësore.
Komisionerja ruse për të drejtat e njeriut, Tatyana Moskalkova, u citua nga agjencia e lajmeve RIA të thoshte se katër mjekë që nuk janë pjesë e shërbimit federal të burgut, vizituan Navalny më 20 prill dhe nuk konstatuan probleme serioze shëndetësore.
Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas helmimit në Siberi në muajin gusht.
SHIKONI EDHE:
Studentët rusë paguajnë çmim të shtrenjtë për protestat politikeAi ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor Noviçok ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus Vladimir Putin. Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.
Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një vendim i mëhershëm gjyqësor. Gjykata vendosi se ai duhet të kryejë pjesën tjetër të burgut.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me çështjen Navalny dhe shtypjen e protestuesve.