SHBA-ja bën thirrje për respektim të rezultatit zgjedhor në Shqipëri

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Shtetet e Bashkuara thonë se respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime në Shqipëri, forcon demokracinë e saj.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter se Shtetet e Bashkuara përgëzojnë popullin e Shqipërisë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se do të punojnë në partneritet të ngushtë me kryeministrin, Edi Rama. Përmes kësaj deklarate, SHBA-ja gjithashtu përgëzon opozitën për fushatën e saj të fuqishme.

Edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim përmes një postimi në Twitter, tha se “duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar”.

SHIKONI EDHE: PS shpall fitore, PD i konteston zgjedhjet

Zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri janë mbajtur më 25 prill.

Të martën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu bashkëngjit përkrahësve të Partisë Socialiste në Tiranë për të shpallur dhe festuar fitoren, që i dha atij mandatin e tretë si kryeministër dhe partisë së tij mundësinë për të qeverisur Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.

Rama po ashtu i bëri thirrje Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj Lulzim Basha, që u rendit në vendin e dytë, që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kontestoi rezultatin preliminar të zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tij, Partia Socialiste bleu dhe nxori mijëra vota të pavlefshme.

Në bazë të rezultateve preliminare, Partia Socialiste ka fituar 74 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, pasi ka fituar 59 vende në kuvendin e ri, krahasuar me 46 që ka pasur më 2017.

Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim ka pësuar humbje, ku ka arritur që të marrë vetëm katër mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara. Partia Socialdemokrate ka fituar 3 mandate.