Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska është duke shqyrtuar heqjen e talibanëve nga lista e organizatave terroriste.
Rusia priti këtë javë një delegacion të lartë të talibanëve. Në bisedime morën pjesë edhe zyrtarë nga Kina, Pakistani dhe tetë vende të tjera.
Në deklaratën e lëshuar pas takimit, u tha se në Afganistan “duhet të merret parasysh realiteti i ri, që është ardhja e talibanëve në pushtet”.
Rusia, po ashtu, bëri thirrje për mobilizimin e ndihmës ndërkombëtare për të mbështetur Afganistanin.
Talibanët kanë marrë pushtetin në Afganistan në muajin gusht.
Grupi ende konsiderohet organizatë terroriste në Rusi.
SHIKONI EDHE:
Talibanët kërkojnë nga SHBA-ja dhe BE-ja heqjen e sanksionevePutin tha se Afganistani duhet të marrë mbështetje ekonomike, pasi, sipas tij, stabiliteti në vendin e shkatërruar nga lufta është në interes të të gjithë fqinjëve të tij.
Uashingtoni tha se nuk e ka ndërmend të lëshojë gati 9 miliardë dollarë nga rezervat e Bankës Qendrore afgane, që mbahen në SHBA.
SHBA-ja i ka ngrirë ato pasi talibanët kanë marrë pushtetin.
Kjo, me gjithë paralajmërimet nga Kombet e Bashkuara se ekonomia e Afganistanit është në prag të kolapsit dhe se ky vend përballet me krizë të thellë humanitare.