DI CARLO: RRUGA E VETME PËR KOSOVËN DHE BALLKANIN – INTEGRIMI EUROATLANTIK

Albana Isufi

Edhe në ditën e dytë të vizitës së saj në Prishtinë, zëvendësja e ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit, Rosemary Di Carlo, ka thënë se plani i Ahtisaarit, që ofron pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, paraqet rrugën më të mirë për zgjidhjen e statusit. “Politika jonë është se duhet të kemi zgjidhjen për Kosovën. Ne e kemi thënë këtë disa herë, mendojmë se kjo është e rëndësishme për stabilitetin në rajon. Ne e përkrahim planin e Ahtisaarit dhe unë nuk do flas se si, kur, ku do të ndodhë. Ajo që do them është se ne mendojmë se zgjidhja për statusin duhet të jetë e tillë, që promovon stabilitet afatgjatë në rajon”, tha zonja Di Carlo, në përfundim të takimeve të saj me liderët shqiptarë dhe serbë të Kosovës. Zonja Di Carlo ka siguruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian sa i përket Kosovës. “Është e qartë se SHBA-të po punojnë shumë ngushtë me Evropën, jo vetëm për statusin, por për të gjitha ngjarjet në rajonin e Ballkanit dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me Evropën për më se 15 vjet për këtë rajon. Ne po vazhdojmë ta diskutojmë me partnerët tanë evropianë rrugën përpara për Kosovën dhe për rajonin”, tha zonja Di Carlo pas takimit që pati me kryeministrin Hashim Thaçi. Kryeministri, i cili sapo është kthyer nga Brukseli, ka përsëritur se data e pavarësisë së Kosovës do të publikohet shumë shpejt. Ai është shprehur i bindur se njohja e pavarësisë do të bëhet në mënyrë unike dhe të koordinuar si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga Brukseli. “Për status gjithçka është e qartë, Uashingtoni dhe Brukseli do të veprojnë në të njëjtën kohë, bashkërisht, në mënyrë unike. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe me Uashingtonin, edhe me Brukselin, që t’i harmonizojmë të gjitha angazhimet tona, në mënyrë që të kemi bashkë përgjegjësi, por edhe fillim të implementimit të gjitha përkushtimeve që i kemi si Qeveri, edhe për procesin e ardhshëm. Sa i përket datës, me rëndësi është që ne të përgatitemi shumë mirë, që ajo ditë të jetë ditë e suksesit dhe që të paraqesim pamjen më të mirë të mundshme për botën demokratike, për miqtë tanë. Natyrisht që publikimi i datës për statusin politik do të bëhet së shpejti”, tha Thaçi. Ndryshe, Rosemary Di Carlo ka takuar sot liderin e Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviq, si dhe dy ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës. “Desha të bëj të qartë se sa jemi të inkurajuar të shohim se serbët po marrin pjesë ne Qeverinë e re dhe në Kuvend. Ne u kërkuam secilit në Parlament dhe në Qeveri, njerëzve të Kosovës , që t’u japin atyre përkrahjen për përpjekjet e tyre. Ne besojmë fuqishëm se Kosova duhet të mbetet shoqëri multietnike. Kjo është e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës dhe për të ardhmen e Kosovës në Evropë”, tha Di Carlo. Në anën tjetër, Slobodan Petroviq ka thënë se takimi me zonjën Di Carlo është shumë domethënës për komunitetit serb. “Ajo, për të cilën folëm sot, është shumë domethënëse për komunitetin serb dhe jo vetëm për komunitetin serb, por për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ju e dini se ne jemi pjesë e institucioneve të Kosovës dhe në takim ishin edhe ministrat Rashiq dhe Stankoviq, të cilët morën përkrahjen e zonjës Di Carlo dhe të Zyrës Amerikane”, tha Petroviq. I pyetur se si do të reagojnë deputetët e tij nëse Parlamenti shpall pavarësinë, Petroviq ka thënë se do të marrin atë vendim që është në interes të komunitetit serb.