Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit që e ka kërkuar të shtunën në Kuvendin e partisë.
Abdixhiku ka thënë se Kuvendi ka zhvilluar mbi shtatë orë diskutime, ndërsa vazhdimin e qëndrimit në krye të partisë e ka përshkruar si privilegj dhe përgjegjësi.
“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së për të cilin jam falënderues, por po ashtu jam edhe mirënjohës i mbështetjes së vazhdueshme, por edhe kundërshtimeve në këtë proces përpara”, u ka thënë ai mediave pas përfundimit të procesit të votimit.
Abdixhiku ka thënë se partia i ka miratuar dy deklarata politike: njërën për riorganizim të partisë, dhe tjetrën për gjendjen politike në Kosovë.
Sa i përket deklaratës së dytë, ai ka thënë se partia është zotuar për dikutime të hapura me gjithë spektrin politik, me qëllim të ofrimit të një stabiliteti për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se partia është e interesuar të gjejë konsensus edhe për çështjen e presidentit të Kosovës.
Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave - rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.
Por, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.
Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.
Ajo ka thënë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, se e respekton vendimin e marrë të shtunën.
“LDK është më e madhe sesa secili prej nesh”.
SHIKONI EDHE: Nga po shkon LDK-ja?Anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, por të shtunën duket se ka pasur diskutime vetëm për performancën e Abdixhikut.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.