Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën gjatë gërmimeve në Kalludër dhe Jabukë, në veri të vendit.
Bëhet fjalë për Adem Ademin, Fatmir Fazliun dhe Ali Halitin, pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, të cilët u zhdukën në prill të vitit 1999, në zonën e Zubin Potokut.
Identifikimin e tyre e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se për rezultatet ishte njoftuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Lutfije Ademi Vokshi, motra e kirurgut Adem Ademi, thotë për Radion Evropa e Lirë se lajmi për identifikimin e mbetjeve mortore të vëllait ishte i rëndë për familjen, e cila për më shumë se 27 vjet kishte ruajtur shpresën se ai mund të ishte ende gjallë.
“Për mua, prej sot përfundon pyetja: ‘ku është?’. Tani e di ku e kam. Uroj që edhe për të gjithë familjarët e personave të zhdukur të marrë fund kjo pyetje: ‘ku e kam familjarin tim?’”, thotë ajo.
“Pas 27 vjetësh pritjeje, një vend për t’i çuar lule”
Adem Ademi ishte njëri nga 23 intelektualët shqiptarë që u zhdukën në prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në zonën e Zubin Potokut.
Në mesin e tyre kishte veprimtarë, profesionistë dhe figura tjera publike nga rajoni i Mitrovicës.
Për 27 vjet, motra e tij, Lutfije Ademi Vokshi, priti të mësonte për fatin e vëllait.
Ajo thotë se identifikimi i mbetjeve mortore i ka dhënë fund pasigurisë shumëvjeçare, por se lehtësimi i dhimbjes do të vijë vetëm pas varrimit.
“Lehtësimi besoj se do të vijë pas kësaj, kur të kryhet ceremonia, ta dimë ku e ka varrin, t’ia çojmë një buqetë me lule. Besoj se pjesa tjetër e lehtësimit të dhimbjes do të vijë pas varrimit të tij”, thotë ajo.
Lutfija shpreson që sa më shpejt të zbardhet edhe fati i personave të tjerë të zhdukur, në mënyrë që familjet e tyre të gjejnë sadopak qetësi.
“Plaga mbetet e hapur, dhimbja mbetet e njëjtë për mungesën e familjarit. Mirëpo, mjafton që ta dinë ku e kanë dhe të mos pyesin më: ‘ku është?’’”, shprehet ajo.
Edhe djali i Ademit, Erblin Ademi, shkroi në rrjetet sociale se familja tani ka mundësinë t’i japë babait lamtumirën dhe nderimin që meriton.
Gërmimet dhe hetimet për zhdukjen e 23 intelektualëve
Gërmimet në tri lokacione në Jabukë dhe Kalludër, në veri të Kosovës, nisën në fund të korrikut.
Gjatë tyre u gjetën mbetje mortore që dyshohej se u përkisnin të paktën 23 personave, përfshirë anëtarë të “Grupit të Intelektualëve”.
Sipas Lutfije Ademi Vokshit, mbetjet mortore të vëllait të saj u gjetën në Jabukë.
“Në mesin e të gjitha të këqijave, më e mira është që Ademin e kanë gjetur të kompletuar, e ka të gjithë trupin”, thotë ajo.
Më herët, në shtator, ishte konfirmuar edhe identifikimi i mbetjeve mortore të veprimtarit politik, Idriz Rrecaj, gjithashtu pjesëtar i “Grupit të Intelektualëve”.
SHIKONI EDHE:
Veprimtari Idriz Rrecaj është ndër të identifikuarit në varrezat masive në Zubin Potok, njofton familjaLidhur me zhdukjen e 23 intelektualëve janë arrestuar deri më tash 13 persona.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se zbulimi i varrezave masive në tri lokacionet në veri ka ardhur pas një hetimi dyvjeçar për krime të dyshuara lufte.
Pas përfundimit të gërmimeve, mbetjet mortore janë dërguar në Hagë për identifikim, përmes analizave të ADN-së.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.
Instituti ka dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
Kosova dhe Serbia kanë miratuar në maj të vitit 2023 një deklaratë për personat e zhdukur, e cila parasheh bashkëpunim për zbardhjen e fatit të tyre, përfshirë qasjen në dokumente dhe informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e varrezave masive.
Megjithatë, zbatimi i saj është përballur me vonesa dhe mospajtime mes palëve.