Kur Kubra hyri në lindje, 22-vjeçarja tashmë vuante nga anemia dhe kequshqyerja. Ajo pësoi humbje të madhe gjaku gjatë lindjes. Mjekët u përpoqën ta shpëtonin me transfuzion gjaku, por ajo ra në komë dhe vdiq. As foshnja e saj nuk mbijetoi.
“Burri i saj ishte i varfër. Mjekët i thoshin gjithmonë të blinte fruta që ajo të hante ushqim të shëndetshëm. Ai nuk mund të përballonte as ilaçet, e lëre më frutat”, i tha Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë motra e Kubrës, e cila kërkoi të mos i bëhej publik emri.
Kubra është njëra nga mijëra gratë që vdesin çdo vit gjatë lindjes në Afganistan, i cili ka një nga normat më të larta të vdekshmërisë amtare në botë.
Të paktën 521 nëna kanë vdekur për çdo 100 mijë lindje, sipas vlerësimit më të fundit të OKB-së, të publikuar në vitin 2023. Nuk ka shifra zyrtare për vitet 2024 ose 2025. Numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi disa raste nuk raportohen, veçanërisht në zonat e thella.
OKB-ja ka thënë se shumë prej vdekjeve janë shkaktuar nga komplikime të parandalueshme gjatë shtatzënisë, të përkeqësuara nga mungesat e mëdha të personelit të kualifikuar për asistimin e lindjeve dhe nga një sistem shëndetësor me burime të pamjaftueshme.
Sistemi shëndetësor publik në Afganistan, i cili për gati dy dekada financohej kryesisht nga ndihmat e huaja, ka qenë në rënie të lirë që kur talebanët morën pushtetin në vitin 2021 dhe donatorët ndërkombëtarë shkurtuan financimin.
Duke e përkeqësuar situatën, talebanët kanë ndaluar gratë të ndjekin universitetin dhe kanë mbyllur shkollat private që ofronin kurse për mamitë dhe infermieret. Grupi radikal gjithashtu ka kufizuar rëndë mundësitë e punësimit për gratë, përfshirë në sektorin e shëndetësisë.
Një mami afgane në repartin e foshnjave në një spital privat në Kabul. (Foto nga arkivi)
Qasja në kujdes shëndetësor përkeqësohet
Për gratë në zonat e thella, arritja te shërbimet shëndetësore është e vështirë, ku disa prej tyre duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të arritur në një institucion shëndetësor. Shumë detyrohen të lindin në shtëpi.
Nabila, e cila jeton në provincën veriore Parwan, tha se nëna e saj vdiq gjatë një lindjeje në shtëpi. Edhe foshnja e saj vdiq.
“Nën talebanët, këto probleme janë bërë shumë më të këqija”, i tha Radios Azadi Nabila, e cila dha vetëm emrin e saj. “Arsyet janë shtatzënitë e përsëritura, kushtet e vështira ekonomike dhe fakti që ajo lindi në shtëpi.”
Për gratë që arrijnë të shkojnë në një institucion shëndetësor, komplikime të tilla si hemorragjia pas lindjes mund të bëhen kërcënuese për jetën brenda pak minutash, veçanërisht kur furnizimet me gjak, personeli i trajnuar ose kujdesi obstetrik emergjent janë të kufizuara, sipas mjekëve obstetër.
Marrja e pushtetit nga talebanët e përkeqësoi një krizë shkatërruese humanitare dhe ekonomike, duke i shtyrë miliona njerëz në varfëri ekstreme. Rreth 45 për qind e popullsisë prej 40 milionë banorësh të Afganistanit kanë nevojë për ndihmë humanitare, sipas OKB-së.
Vetëm një në katër gra shtatzëna në Afganistan merr katër ose më shumë vizita të rekomanduara për kujdesin para lindjes, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).
Agjencia thotë se 1.2 milion gra shtatzëna dhe që ushqejnë me gji parashikohet të vuajnë nga kequshqyerja akute në vitin 2026, duke i vënë nënat dhe foshnjat në rrezik më të madh.
E ardhmja edhe më e pasigurt
Ndërsa disa organizata të huaja të ndihmës vazhdojnë të veprojnë në Afganistan, shumë prej tyre janë detyruar ta kufizojnë punën e tyre, pasi financimi ndërkombëtar po pakësohet.
Për ta përkeqësuar situatën, talebanët kanë ndaluar gratë të ndjekin institucionet mjekësore që ofronin kurse për mami, infermieri, higjienë dentare dhe shkenca laboratorike.
Talebanët kanë ndaluar gratë të ndjekin universitetin dhe kanë mbyllur shkollat private që ofronin kurse për mami dhe infermieri. (Foto nga arkivi)
Yasamin, e cila ishte në shkollën e mjekësisë kur talebanët ndaluan gratë të ndiqnin universitetin, u regjistrua në një program privat për mami për të vazhduar arsimimin e saj.
“Shpresa jonë ishte që të diplomoheshim [për mami] dhe t’i shërbenim vendit tonë”, i tha ajo Radios Azadi. “Tani që edhe kjo na është mbyllur, të gjitha shpresat tona janë shkatërruar.”
Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, ka thënë se Afganistani mund të humbasë deri në 5.400 punonjëse shëndetësore deri në vitin 2030 për shkak të kufizimeve ndaj arsimimit të vajzave dhe punësimit të grave.
Talebanët minimizojnë vdekjet amtare
Qeveria talebane ka pretenduar se qasja në kujdesin shëndetësor është përmirësuar që kur ajo u kthye në pushtet dhe ka fajësuar disa vdekje amtare për faktin se gratë nuk kërkojnë kujdes para lindjes.
Sharafat Zaman, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë Publike të talebanëve, pretendoi se rreth 200 nëna vdiqën gjatë lindjes vitin e kaluar.
“Qëllimi ynë është t’i shpëtojmë secilës prej tyre, por fatkeqësisht ende ka sfida. Njëra prej tyre është se gratë kanë nevojë për kontrolle të rregullta gjatë shtatzënisë dhe duhet të vizitojnë vazhdimisht qendrat shëndetësore, në mënyrë që të monitorohet shëndeti i foshnjës dhe i nënës”, i tha ai Radios Azadi.
Zaman nuk iu referua politikave të talebanëve që kanë penguar qasjen e grave në kujdesin shëndetësor.