Afganistani gjithnjë e më i rrezikuar nga IS-K

Luftëtarët talibanë kontrollojnë në hyrje të spitalit të urgjencës në Kabul, Afganistan, 2 nëntor 2021.

Derisa talibanët janë të fokusuar në administrimin e vendit, rivali i tyre më i rrezikshëm është grupi ekstremist Shteti Islamik (IS), i cili ka organizuar një sërë sulmesh të përgjakshme javët e fundit.

IS-i vepron në Afganistan si Shteti Islamik-Khorasan (IS-K).

Të martën më 2 nëntor ky grup mori përgjegjësinë për një sulm në një spital ushtarak në Kabul ku mbetën të vrarë 19 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Sulmi pasoi vrasjen e shumë myslimanëve shiitë në një xhami muajin e kaluar dhe një sulm vetëvrasës që vrau më shumë se 100 njerëz, përfshirë 13 ushtarë amerikanë, derisa trupat amerikane u evakuuan në muajin gusht.

Ja një vështrim i rivalitetit mes dy grupeve:

Çka është IS-K?

Grupi i Shtetit Islamik u bë i njohur kur shpalli një "kalifat" në Siri dhe Irak në vitin 2014.

Ky grup pastaj frymëzoi krijimin e shumë degëve duke përfshirë atë "Khorasan", një rajon historik që përfshin pjesë të Afganistanit të sotëm, Iranit, Pakistanit dhe Turkmenistanit.

Eksperti, Jean-Luc Marret, nga Fondacioni për Hulumtime Strategjike me bazë në Francë, e përshkruan IS-K si "një bashkim i ish-organizatave xhihadiste, duke përfshirë ujgurët dhe uzbekët, dhe dezertorët talibanë".

SHIKONI EDHE: Udhëheqësi suprem i talibanëve shfaqet në publik

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka vlerësuar se IS-K ka nga 500 deri në disa mijëra luftëtarë në Afganistanin verior dhe lindor, duke përfshirë disa celula në kryeqytetin Kabul.

Me gjasë, që nga viti 2020, grupi është udhëhequr nga Shahab al-Muhajir. Emri i tij lë të kuptohet se ai ka arritur në rajon nga bota arabe, por origjina e vërtetë e tij mbetet e panjohur.

Për të është thënë se ka qenë një komandant i Al-Kaidës ose një ish-anëtar i rrjetit Haqqani, një nga fraksionet më të fuqishme dhe më të frikshme të talibanëve.

Cili është niveli i kërcënimit?

Në vitet e fundit IS-K ka qenë përgjegjës për disa nga sulmet më të përgjakshme në rajon, duke përfshirë ato në Afganistan dhe Pakistan.

Shënjestrat e tyre kanë qenë xhamitë, faltoret, sheshet publike e madje edhe spitalet.

Grupi ka sulmuar caqe të myslimanëve nga sektet që i kundërshton duke, duke përfshirë shiitët.

SHIKONI EDHE: Shtohen dyshimet nëse talibanët mund ta luftojnë Shtetin Islamik në Afganistan

Ndaj këtij grupi patën luftuar ashpër edhe talibanët edhe forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i tyre kishte rënë, mirëpo sulmet e këtij grupi janë shpeshtuar që kur rivalët e tyre, talibanët, morën kontrollin e vendit në muajin gusht.

Sipas hulumtuesit Abdul Sayed, nga organizata që vëzhgon ekstremizmin në internet, ExTrac, Shahad ka vënë "theksin në luftën urbane".

Kur ka filluar rivaliteti?

Shumë luftëtarë të IS-K ka qenë pjesë e radhëve të talibanëve apo grupeve aleate. Një pjesë e tyre vijnë nga lëvizjet kryengritëse të frymëzuara nga Al-Kaida.

Grupi militant Al-Kaida ka pasur ndikim të fuqishëm në Afganistan derisa Shtetet e Bashkuara ndërhynë ushtarakisht më 2001 dhe rrëzuan talibanët nga pushteti. Ndërhyrja pasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Talibanët dhe IS-K janë militantë islamikë sunitë të linjës së ashpër, por ata ndryshojnë në strategjinë dhe interpretimin e fesë. Të dyja grupet, pretendojnë se janë bartësit e vërtetë të xhihadit islamik.

Edhe talibanët kanë sulmuar shiitët në të kaluarën, mirëpo tash kanë premtuar se do t’i mbrojnë ata.

IS-K, megjithatë, mbetet i vendosur për t'i zhdukur grupet që i konsideron si "mohues të fesë".

Talibanët kanë thënë se do ta sundojnë Afganistanin ndryshe nga e kaluara, derisa IS-K është i vendosur në krijimin e një “kalifati global”.

Dallimet mes dy grupeve janë të thella dhe luftëtarët ndryshojnë anët bazuar në pikëpamjet e tyre.

“IS-K i sheh talibanët si shumë të moderuar dhe më parë ka qenë i suksesshëm në rekrutimin e pjesëtarëve të pakënaqur të grupit”, thotë për AFP-në, Barbara Kelemen, nga Dragonfly Security Intelligence, një organizatë private inteligjente këshilluese.

SHIKONI EDHE: Sulmet e IS-it ndaj shiitëve janë krime kundër njerëzimit, thotë HRW

"IS-K përpiqet të përfitojë tani kur talibanët duket se po zbatojnë disa reforma më të moderuara", thotë ajo.

A janë talebanët të pajisur për të luftuar?

Qeveria e rrëzuar e Afganistanit e mbështetur nga SHBA-ja mori qindra miliarda dollarë mbështetje në fushën e sigurisë, por nuk arriti të mposhtë as talibanët dhe as IS-K.

Tani, talibanët po përballen me IS-K, mirëpo kanë shumë pak ndihmë nga jashtë dhe asnjë pajisje të mbikëqyrjes të vendosur nga ushtritë e huaja.

Megjithatë, ata e njohin armikun e tyre e terrenin dhe muajin e kaluar njoftuan shkatërrimin e një celule të IS-K në Kabul pas një sulmi vetëvrasës.

Ata, gjithashtu, kanë mbështetjen e mundshme të dy grupeve që i njohin shumë mirë taktikat e IS-K.

Një raport nga Qendra Soufan, me bazë në SHBA thotë se "për të luftuar IS-K, talibanët do të mbështeten në rrjetin Haqqani, Al-Kaedan dhe aktorë të tjerë të dhunshëm joshtetërorë”.

Përgatiti: Kestrin Kumnova