Qytetarët e Prishtinës në hall me ndotjen e ajrit

Disa qytetarë duke kaluar nëpër një rrugë të Prishtinës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja e ajrit është ndër kërcënimet kryesore për shëndetin e njeriut.

Ndërtesa e Katedrales Shën Tereza në Prishtinë mezi duket nga ajri i ndotur dhe smogu në Prishtinë më 23 janar.

Disa qytetarë duke ecur në sheshin kryesor të Prishtinës. Specialistë të cilësisë së ajrit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës – organ përgjegjës për cilësinë e ajrit – i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se periudha më kritike e ndotjes së ajrit në Kosovë është nga muaji nëntor e deri në shkurt.

Ndotja e ajrit vlerësohet se shkakton probleme të shumta shëndetësore, përfshirë kancerin në mushkëri, astmë, sëmundje kronike të mushkërive, probleme neutrologjike e kardiovaskulare, por edhe ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijës, shkakton telashe në sistemin riprodhues e të tjera.

Ndër ndotësit kryesorë të ajrit në Kosovë hyn edhe sektori i transportit.

Disa ndërtesa në Prishtinë mezi shihen nga smogu dhe ajri i ndotur. Në ditën kur u shkrep kjo fotografi, sipas matjeve online, cilësia e ajrit në Prishtinë vlerësohej e pashëndetshme.

Vitin e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se 1.150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit.

Stadiumi Fadil Vokrri dhe ndërtesat përreth mezi duken nga smogu dhe ajri i ndotur në Prishtinë.

Përveç makinave, në mesin e ndotësve kryesorë të ajrit në Kosovë bëjnë pjesë edhe termocentralet me qymyr, shtëpitë që ngrohen me stufa me dru apo thëngjill, si dhe mungesa e hapësirave të mjaftueshme të gjelbëruara.

Problemi i ndotjes së ajrit në Prishtinë është i kamotshëm. Ekspertët shpesh bëjnë thirrje që qytetarët të shmangin daljet kur ajri ka cilësi të dobët, por edhe që të përdorin maska.

Jo rrallëherë, kur temperaturat bien, qytetarët në Prishtinë përballen me ajër të ndotur. Shkaktarët e ndotjes janë të shumtë, teksa problemet shëndetësore janë edhe më të mëdha. Të premten e 23 janarit, kur u realizuan këto fotografi, sipas matjes të bërë për cilësinë e ajrit, ai ishte i pashëndetshëm për qytetarët.