Aksioni në Malishevë: 15 kryesues të ndaluar nën dyshimet për manipulime të votave

Qendra për rinumërim të votave në Prishtinë. Fotografi ilustruese.

Ndaj 15 kryesuesve zgjedhorë në Komunën e Malishevës është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, pas aksionit të sotëm në këtë komunë lidhur me dyshimet për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha se gjatë aksionit të sotëm cak ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë.

Ata dyshohen për veprën penale "falsifikim i rezultatit të votimeve".

Gashi tha se sot u intervistuan 15 kryesues, që u dërguan në ndalim dhe 43 komisionerë. Për komisionerët tha se do të vendoset nëse do të ndërmerret ndonjë masë sigurie, pasi ata janë intervistuar pas kryesuesve.

SHIKONI EDHE: Gjykata urdhëron një muaj paraburgim për 23 të dyshuar për manipulim të votave në Prizren

Ndërkaq, tre kryesuesit dhe shtatë komisionerët e tjerë, të cilët sot nuk u morën në pytje, nga Policia e Kosovës thanë se do të merren më vonë, pasi mund të jenë jashtë vendit.

Kryeprokurori Gashi tha se deri më tani nuk po zhvillohen hetime ndaj ndonjë kandidati për deputetë, por tha se në fazat e mëvonshme, "varësisht nga rezultati i hetimit dhe provat që sigurojmë deri në një fazë të caktuar, dhe prokurori, kuptohet se mund të ftohet për intervistim".

"Në Malishevë janë 75 vendvotime. 9.057 vota janë të shuar, 7.996 të hequra. Pra, gjithsej në total kemi 17.053 vota", tha Gashi

Ai shtoi se edhe në Komunë e Gjakovës, ku është vërtejtur mospërputhje e votave, janë në kontakt me policinë, e cila po grumbullon prova.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e cilësoi si procesin "më të kompromentuar" zgjedhor që nga viti 2010, por tha se manipulimet ndodhën gjatë numërimit të votave, e jo gjatë votimit.

E pyetur se çfarë do të ndodhë me kandidatët për deputetë, të cilëve u janë shtuar votat, Pula tha se ata do të jenë objekt i hetimit.

"Kandidatët që ua shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve në varësi të cilësisë se çfarë do ta trajtojmë, varëssht prej intervistave që na vijnë nga komisionerët dhe kryesuesve të komisionerëve. Ngase, duhet të sigurojmë prova që ata kanë qenë të shtyrë nga ndonjë deputetë në çfarëdo mënyre t’ia shtojë votat dhe mënyra se si janë shtuar ato", tha Pula.

"Mënyra e shtimit të votave për një kandidat për deputet bëhet me dashje, me porosi të posaçme. Se si është bërë, në çfarë mënyre, mbetet nga hetimet – qoftë nga kamerat apo bashkëpunimi me komisionerë dhe kryesues – të vazhdohet tutje. Nuk do të amnistohet asnjë. Vetëm të kemi prova të mjaftueshme, të mos ju hyjmë në hak", tha ajo.

Prokuroria e Gjakovës tha se ka pranuar si prova edhe video-incizimet nga Qendrat e Numërimit, dhe ato do të analizohen më vonë.

Rinumërimi në Malishevë – komunë në pjesën qendrore të vendit – ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë. Të paktën tre kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 700 votat secilit në këtë komunë.

SHIKONI EDHE: Kurti: S'ka amnisti për komisionerë e individë të përfshirë në manipulime votash

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Nisma, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Operacioni në Malishevë është i dyti i këtij lloji si pjesë e një hetimi të gjerë për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit të parakohshme të Kosovës.

Një operacion i ngjashëm u krye javën e kaluar në Prizren, ku u arrestuan 109 të dyshuar, prej të cilave 23 u dërguan në paraburgim nën dyshimin se kishin manipuluar vota të kandidatëve për deputetë.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur të martën se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar mbi 80 për qind e votave.

Në këtë video shpjegojmë se si u manipuluan votat e kandidatëve për deputetë

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova në rinumërim: Si u manipuluan votat e kandidatëve për deputetë?

Por, derisa rinumërimi ka vazhduar drejt përfundimit, edhe hetimet e autoriteteve për zbatim të ligjit po zgjerohen.

Përveç Prizrenit dhe Malishevës ku tashmë janë zhvilluar operacione, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.