Aktakuzë ndaj një gruaje për krime lufte në Kosovë

Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë për krime lufte kundër popullatës civile ndaj një gruaje, e cila më 1998-99 kishte qenë gardiane në Burgun e Prishtinës, në paralelen në Lipjan.

Sipas njoftimit, e akuzuara N.C., si gardiane, në paralelen për gra në Lipjan, së bashku me zyrtarë të tjerë të burgut “ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës”.

Prokuroria Speciale e akuzon N.C. se “në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore”.

Si pasojë e këtyre veprimeve, tha Prokuroria, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor.

Kohëve të fundit, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte.

Dhjetorin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave për vrasjen e civilëve në Reçak të Shtimes. Ndërkaq, më herët gjatë vitit 2025 u ngrit një aktakuzë tjetër në mungesë ndaj 21 personave për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

SHIKONI EDHE: Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe ish-udhëheqësi serb, Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.