Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, kërkoi përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas takimeve të ndara me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në Nju Jork. Kurti tha se në takimin me të ngriti edhe çështjen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së dhe sulmin në Banjskë.
Kallas u takua veçmas me Kurtin dhe Vuçiqin në Nju Jork, ku të tre po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
, janë detyruese”, tha ajo.
Sipas Kallasit, zbatimi i marrëveshjeve nuk është favor ndaj Brukselit, por detyrim ndaj qytetarëve dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale. BE-ja, tha ajo, do të vazhdojë të jetë ndërmjetëse e paanshme, por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.
“Është koha për të ecur përpara”, tha Kallas.
Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në kuadër të dialogut që nga shtatori i vitit 2023. Kurti kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me dorëzimin e të dyshuarve për sulmin në Banjskë, për të cilin e akuzon Serbinë.
Gjatë takimit me Kallasin në Nju Jork, Kurti kujtoi se më 24 shtator bëhen tre vjet nga sulmi në Banjskë. Në sulm u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë të shtënave që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Kosova kërkon vazhdimisht ekstradimin e Radoiçiqit nga Serbia, ku ai ka të regjistruar vendbanimin.
“Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, shkroi Kurti.
BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që të përfshirët të përballen me drejtësinë.
Vuçiq tha se me Kallasin diskutoi për marrëdhëniet Serbi-BE, reformat drejt anëtarësimit dhe stabilitetin rajonal, përfshirë pozitën dhe sigurinë e serbëve në Kosovë. Ai shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me partnerët evropianë.
Kurti ngre çështjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Pas takimit me Kallasin, Kurti tha se Kosova do të angazhohet që në shkallën e apelit të ndryshohet aktgjykimi dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohet në shkallën e Apelit”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.
Më 16 shtator, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u gjetën fajtorë për katër akuza për krime lufte dhe u dënuan me 81 vjet burgim së bashku.
Takimi mes Kurtit dhe Kallasit vjen një ditë pasi në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar një projektligj për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. PDK-ja ka thënë se ndryshimet nuk synojnë zhbërjen e Gjykatës, teksa BE-ja s'ka dashur ta komentojë këtë nismë.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së, ndërkaq ka nisur procedurat për apelimin e vendimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen edhe si Gjykata Speciale, teksa Kurti që nga shpallja e aktgjykimit është zotuar për angazhim të institucioneve në këtë drejtim.
Në Prishtinë, ndërkaq, çdo natë po mbahen protesta kundër vendimit të Gjykatës në Hagë, teksa për në ditët në vijim janë paralajmëruar edhe për protesta në mbarë vendin.
SHIKONI EDHE:
Të lindur pas luftës, në ballë të protestave për ish-krerët e UÇK-sëGjatë takimit, Kurti tha se përderisa Kosova është e përcaktuar në rrugën e saj evropiane dhe euroatlantike, në aspektin strategjik, Serbia fqinje “sikur qëndron mes Rusisë dhe Kinës”.
Serbia është kritikuar nga SHBA-ja dhe BE-ja për politikën e saj të jashtme, veçmas për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës. SHBA-ja, ndërkaq, po ashtu ka shprehur shqetësime për blerjet e armëve ruse dhe kineze nga Beogradi.
Kurti tha po ashtu se gjatë takimit me Kallasin ngriti edhe shqetësimin e pozitës së shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Ai tha se shqiptarët në Luginë të Preshevës – term që përdoret për komunat jugore në Serbi, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – janë të “diskriminuar”, janë të nënpërfaqësuar në institucione dhe përballen me atë që njihet si pasivizim i adresave.
SHIKONI EDHE:
Rasti për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi dërgohet në Gjykatën e StrasburgutLigjvënësit amerikanë i kërkojnë DASH-it t'i shqyrtojë pretendimet për diskriminim ndaj shqiptarëve në SerbiPasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Ky veprim rezulton me humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor e pension, si dhe për t’u punësuar.
Çështja është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Luginë të Preshevës, si dhe nga Qeveria e Kosovës, e cila e ka cilësuar praktikën si diskriminuese.