Kurti: Radoiçiq duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për sulmin në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi nuk do të ndalet derisa përgjegjësit për sulmin në Banjskë të Zveçanit, në krye me Millan Radoiçiqin, të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Në një ngjarje përkujtimore në trevjetorin e sulmit në Banjskë, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë reshterin Afrim Bunjaku, Kurti tha se Serbia po e mbron Radoiçiqin.

“Tre vjet nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake, të organizuar ndaj shtetit tonë, dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi të plotë”, tha Kurti.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Kosova vazhdimisht kërkon ekstradimin e tij nga Serbia, ku ka adresë të regjistruar banimi.

Kurti kujtoi Bunjakun, duke thënë se ai u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen.

“Falë sakrificës dhe aktit heroik të Afrim Bunjakut, nuk u ndal rruga e drejtë e shtrirjes së sovranitet në 17 për qind të territorit të vendit tonë”, tha Kurti.

Kurti tha se sulmi i armatosur në Banjskë ishte tentim për të imituar një metodë hibride të Rusisë: “aneksimin e territorit”, duke e akuzuar Serbinë se ka mbështetur, ka financuar dhe ka trajnuar grupin që kreu sulmin.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu tha se përpjekjet për “shkëputje dhe aneksim” të veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – dështuan falë “guximit, profesionalizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Kosovës”.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se me sulmin në Banjskë, Serbia tentoi “aneksimin e 17 për qind” të territorit të Kosovës.

Kosova ka akuzuar Serbinë për sulmin që e cilëson terrorist, por Beogradi ka mohuar çdo përfshije.

Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë, Bashkimi Evropian kritikoi Serbinë, duke thënë se ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të “arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”.

SHIKONI EDHE:

BE-ja dhe NATO-ja kërkojnë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë

Thirrje që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë bëri edhe aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Serbia është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe presim që partneriteti ynë të jetë i ndërsjellë. Presim që Serbia të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj në mënyrë konstruktive. Për këtë çështje, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdon të jetë në kontakt me presidentin Vuçiq”, tha një zyrtar i NATO-s.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.