Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Armenisë për të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, bëri të ditur ekzekutivi kosovar.
“Në Jerevan, kryeministri në detyrë Kurti do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian dhe pritet të ketë takime të nivelit të lartë me zyrtarë dhe liderë shtetesh pjesëmarrëse. Ai, po ashtu, do të jetë pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare Yerevan Dialogue”, u tha në njoftim.
Samiti i tetë i Komunitetit Politik Evropian mbahet më 4 maj në Jerevan të Armenisë nën moton “Ndërtimi i së ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti i Evropës”.
Ai pritet të mbledhë udhëheqës evropianë dhe krerët e organizatave ndërkombëtare “në një moment vendimtar për formësimin dhe forcimin e rrugës kolektive të Evropës”.
“Ai do të shërbejë si një forum gjithëpërfshirës për dialog të hapur, koordinim strategjik dhe reflektim të përbashkët mbi prioritetet e Evropës, duke nxitur bashkëpunim, mirëkuptim të ndërsjellë dhe iniciativa konkrete që mbështesin një kontinent më të qëndrueshëm dhe më të orientuar drejt së ardhme”, thuhet në ueb-faqen e samitit, që do të mbahet në kryeqytetin armen.
Mikpritësi i samitit të sivjetshëm, kryeministri armen, Nikol Pashinian, në një mesazh drejtuar të ftuarve në këtë takim tha se në një kohë të transformimit të madh në Evropë, Komuniteti Politik Evropian ka dalë si një platformë unike dhe gjithëpërfshirëse për dialog.
“Samiti i Jerevanit do të ndërtojë mbi këtë frymë, duke mbledhur udhëheqës dhe partnerë për të forcuar bashkëpunimin, rritur besimin dhe avancuar një vizion të përbashkët për një Evropë të sigurt, paqësore dhe të bashkuar”, tha ai.
Sipas Pashinianit, në samit do të diskutohen një sërë temash kyç, sikurse kërcënimet hibride, e deri tek energjia.
“Armenia është e nderuar që është mikpritëse e këtij samiti të rëndësishëm dhe të luajë rol aktiv në formësimin e të ardhmes së Evropës”, shkroi Pashinian.
Në samit, Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, së bashku me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të përfaqësojnë BE-në.
Para Armenisë, mikpritëse e samitit të Komunitetit Politik Evropian ishte Danimarka, takim në të cilin Kosova u përfaqësua nga tashmë ish-presidentja Vjosa Osmani.
Komuniteti Politik Evropian është lansuar më 2022, si ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, si një lloj forumi ndërqeveritar për diskutime politike lidhur me të ardhmen e Evropës.
Në samitin e parë të mbajtur në tetor të vitit 2022 në Pragë, Macron e hodhi poshtë nocionin se ishte një lloj zëvendësimi për anëtarësimin në BE, duke ia kujtuar këtë udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor, që aspirojnë të bëhen pjesë e bllout evropian.