Aleanca Kombëtare për Integrim fiton dy komuna në zgjedhjet e përsëritura lokale në Maqedoninë e Veriut

Një burrë duke votuar në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, tetor 2025.

Koalicioni shqiptar i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) i ka fituar dy komuna në zgjedhjet e përsëritura lokale në disa komuna të Maqedonisë së Veriut të dielën, sipas rezultateve preliminare.

Kandidati i AKI - koalicionit që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) - Valbon Limani, e mposhti kandidatin e koalicionit tjetër shqiptar, VLEN, Nevzat Bejta, për ta fituar komunën e Gostivarit.

AKI-j e fitoi edhe Vrapçishten me kandidatin Isen Shabani.

Kundërshtari i Shabanit në këto zgjedhje ishte Zulhajrat Demiri, i cili u mbështet nga Grupi i Votuesve.

SHIKONI EDHE: Ndryshime partiake në Maqedoninë e Veriut, por me udhëheqës të vjetër

Përvec këtyre dy komunave, zgjedhjet lokale u përsëritën edhe në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë.

Komunën e Mavrovës-Rostushës e fitoi Oner Jakupovski, i cili u mbështet nga koalicioni Maqedonia e Juaj, i udhëhequr nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE.

Jakupovski, i cili ishte kandidat në rundin e parë të zgjedhjeve në vitin 2025, hyri në garë për kryetar komune me të njëjtin kundërshtar, Anes Ahmeti, i mbështetur nga Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja.

Kandidati i vetëm në Qendër Zhupë, Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve, siguroi 973 vota. Në këtë komunë.

Këto rezultate u shpallën në një konferencë për shtyp të dielën vonë nga zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Radica Todorovska Aleksovska.

Ajo njoftoi se komisioni do t'i shpallë rezultatet fillestare zyrtare të hënën, pasi të mbërrijnë procesverbalet nga qendrat e votimit.

SHIKONI EDHE: Triumfi bindës dhe rreziku i pushtetit absolut në Maqedoninë e Veriut

Gjatë ditës së zgjedhjeve policia nuk regjistroi asnjë incident apo shkelje të rendit publik.

Ministria e Brendshme, në një deklaratë, vlerësoi se zgjedhjet e përsëritura lokale u "mbajtën në një atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike".

Arsyeja për zgjedhjet e përsëritura është se nuk dolën mjaftueshëm njerëz për të votuar në votimin e 19 tetorit të vitit të kaluar.

Një kusht që zgjedhjet të ishin të suksesshme ishte që të paktën një e treta e qytetarëve të regjistruar në Listën e Votuesve të votonin.

Por, ndryshe nga atëherë, sipas rregullave zgjedhore, nuk kishte nevojë për regjistrim të popullsisë në zgjedhjet e përsëritura më 11 janar.