Amerikani i “sjellshëm” që po ua mësyn llogoreve ruse në Ukrainë

Një ushtar ukrainas ec pranë ndërtesave të shkatërruara në qytetin e vijës së frontit, Kostiantinivka, Ukrainë, më 28 nëntor.

Një video e xhiruar nga një vullnetar amerikan në Ukrainë ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, pasi vë në pah njerëzi të rrallë në pyjet e Donbasit të mbushura me trupa të pajetë.

Videoja, e xhiruar me një kamerë e vendosur në helmetë, shfaq luftëtarë rusë duke u dorëzuar para një ekipi sulmues, ndërsa një ish-marins amerikan, duke folur një gjuhë të përzier rusishte dhe ukrainase, i udhëzon ata hap pas hapi gjatë procesit të dorëzimit.

Ai madje u vendos cigare gojë ushtarëve të kapur rusë.

Kjo ngjarje është shikuar më shumë se 1 milion herë vetëm në Telegram, ku Brigada e 63-të e Mekanizuar e Ukrainës e publikoi videon, duke theksuar “mirësjelljen” e ushtarit teksa u drejtohet luftëtarëve rusë: “Në gjunjë, ju lutem”.

Bruce, vullnetari amerikan që e xhiroi videon me një kamerë të vendosur në helmetë, foli për Radio Evropa e Lirë (REL), derisa po e merrte veten nga plagët e predhave të marra në një betejë tjetër.

Bruce, banor i Kalifornisë, ka kërkuar të mos i bëhet i ditur mbiemri.

“Nuk e ndiej nevojën për të shtënë mbi gjithçka që shoh”, thotë amerikani përmes të telefonit të një ushtari të kapur rus, të cilin po e përdor në vend të telefonit të tij të prishur.

“Kjo luftë ka shkaktuar mjaft vuajtje, prandaj, nëse mund ta lehtësoj në çfarëdo mënyre, do ta bëj, qoftë për njerëzit në anën time apo në anën e tyre”, thekson ai.

Bruce beson se videoja bëri kaq shumë bujë pjesërisht sepse ndërveprimi mes tyre ishte tejet i qetë, pavarësisht tensionit që mbart një situatë e tillë në fushëbetejë.

Bruce shihet me të njëjtën veshje kamuflazh të veshur në videon e kapjes së një pozicioni rus.

Amerikani thotë se u ndje i detyruar t’i bashkohej luftës kundër pushtimit të Ukrainës, pasi e ndoqi konfliktin nga SHBA-ja.

“Ndjeva se pas Korpusit të Marinës kisha shumë kohë të lirë. Pas punës rrija në telefon duke parë lajmet dhe duke parë gjëra të këqija që ndodhnin në botë”, tregon ai.

Meqë aftësitë luftarake i kishte mësuar në ushtrinë amerikane, ai thotë se e kuptoi se “në vend se të zemërohem dhe të ankohem, mund të vij këtu dhe të bëj diçka të mirëfilltë. Mund ta marr një pushkë sepse di ta përdor, ose mund të përdor aftësi mjekësore, apo çfarëdo që nevojitet. Mund të jap kontributin tim”.

Pasi mbërriti në Ukrainë në pranverën e vitit 2025, ai u bashkua me një grup luftëtarësh të huaj nga Irlanda, Kanadaja dhe SHBA-ja në Brigadën e 63-të të Mekanizuar.

Bruce dhe një luftëtar tjetër me flamur rus pasi pushtuan një pozicion pranë Limanit në rajonin e Donjeckut të Ukrainës.

Përballja e parë e amerikanit me luftëtarët rusë gati sa e la të vdekur. Një natë vonë gjatë verës së vitit 2025, ai po mbante një pozicion me një ushtar ukrainas kur rusët iu afruan pa u vënë re në errësirë dhe hodhën dy granata në llogoren e tyre.

Shpërthimet ia dëmtuan daullen e veshit, por një thes me rërë i bllokoi copëzat e predhave.

“Menjëherë e mora pushkën dhe fillova të qëlloja për t’u siguruar që ata nuk do të hynin nga dera mes tymit dhe pluhurit”, kujton ai.

“Më pas dëgjova njërin prej tyre të ulërinte kur e godita. Ai ishte njeriu i parë që kam qëlluar ndonjëherë”, tregon ai.

Pasi i zmbrapsën ushtarët rusë, amerikani thotë se “pastaj vinin dron pas droni, duke hedhur [material ndezës] mbi ne, përpiqeshin të hidhnin granata përmes një vrime në llogore, dhe kur zbardhi dita na goditën me dy dronë FPV në derë dhe shkatërruan gjithçka”.

Dy luftëtarët arritën më në fund të tërhiqeshin nga pozicionet e tyre.

Gjatë atij përjetimi të vështirë, që zgjati me orë të tëra, ai mendjen e kishte tek shtëpia: “Në ato çaste dëshiron ta shohësh nënën sërish, mendon për të dashurën, pyet veten nëse do të kesh mundësi të bësh këtë ose atë përsëri, thjesht dëshiron të mos jesh atje në atë çast”.

Bruce në një pozicion në Ukrainë në verën e vitit 2025.

Pasi kaloi shumë kohë në pozicione mbrojtëse në llogoret ukrainase dhe u ndje i nënvlerësuar, Bruce kërkoi të merrte pjesë në misione sulmuese.

Kjo është detyra më e rrezikshme e këmbësorisë – të çash përpara në territorin e armikut duke sulmuar pozicionet ruse në luftime nga afër.

I pyetur për kushtet në zonën e betejës mes pozicioneve ruse dhe ukrainase, ku lëvizin vetëm ekipet sulmuese, Bruce thotë se “fronti është vend tmerrues”.

“Është i frikshëm, duket si apokalips”, thotë ai, duke shtuar se trupat e ushtarëve rusë të vrarë rrallë mblidhen, që do të thotë se fushat dhe pyjet përreth vijave të frontit janë të mbushura me mbetje njerëzore. “Është si një film zombi”.

Mbi këtë peizazh të shkretë, thotë ai, “ka vetëm dronë të përhershëm, qoftë tanët apo rusët. Shpesh nuk e di as i kujt është droni”.

“Nëse je duke ecur atje dhe të sheh një Mavic [dron kinez i përdorur kryesisht për gjurmim], ka shumë gjasë që po ua bart të dhënat ekipeve të mortajave, artilerisë apo pilotëve të FPV-ve, dhe mundësia më e mirë që e ke është të fshihesh”.

Një fotografi nga lart e ndërtesave të shkatërruara në Kostiantinivka në rajonin e Donjeckut, më 12 nëntor

Bisedimeve për paqe, të udhëhequra nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, Bruce thotë se luftëtarët e vijës së parë po u kushtojnë pak vëmendje.

“Të jem i sinqertë, askush prej nesh nuk u kushton vëmendje atyre bisedimeve. Ne mendojmë se lufta do të vazhdojë gjatë këtu”, thotë ai.

Sa për videon, e cila tashmë ka bërë bujë të madhe, Bruce shpreson se ajo do të ndikojë te audienca ruse në vijën e frontit.

“Dua që [luftëtarët rusë] ta dinë se mund të dorëzohen. Që të mos vritem unë kur hyj brenda për të sulmuar pozicionet e tyre, që të mos humbas miq duke hyrë brenda”, thotë ai.

“Dua ta dinë se kjo është një mundësi për ta dhe se do të trajtohen mirë më pas”, përfundon ai.

Përgatiti: Ekrem Idrizi