Siç shihet edhe në fotografinë më poshtë, një tank i mbushur me tela të fortë metalikë është një prej pamjeve më shpjeguese se çka po përdor ushtria ukrainase për t’i luftuar forcat pushtuese ruse prej vjeshtës së këtij viti.
Mbrojtja e re raportohet të jetë krijuar përmes kabllove të çelikut të prera në gjatësi të njëjtë, që më pas janë shpëlarë në fije të veçanta teli. Në fund, telat me gjemba janë fiksuar në tanke apo makina tjera ushtarake.
Të dyja palët në konfliktin në Ukrainë kanë tentuar t’i shmangin sulmet me dronë përmes kësaj mbrojtjeje që njihet edhe si “blindim në formë iriqi”.
Një tank rus i pajisur me mbrojtje në formë iriqi në rajonin ukrainas të Donjeckut.
Iryna Rybakova, zyrtare për media e Brigadës së 93-të të Mekanizuar të Ukrainës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se armatura “e butë” është projektuar “për t’i ngatërruar dronët dhe për të mos i shpërthyer, ose për t’i shpërthyer në distancë”.
Shumica e dronëve kamikazë (FPV) janë të pajisur me një fitil që del nga koka e tyre dhe shpërthen në momentin e goditjes. Armatura e re me maja mund ta ngatërrojë një dron të tillë përpara se fitili i tij të arrijë në një sipërfaqe të ngurtë.
Rybakova tregon se një “tank rus iriq” që është parë afër Toretskut në rajonin e Donjeckut ka arritur t’iu rezistojë dhjetëra goditjeve nga dronët ukrainas FPV dhe më pas është shkatërruar përfundimisht. Sipas saj, mburoja si iriq ofron më pak mbrojtje kundër dronëve kamikazë më të mëdhenj dhe më të shpejtë.
Ushtarët rusë me një tank të pajisur me këtë lloj të mbrojtjes në fomë iriqi në rajonin e Donjeckut. Nëntor 2025.
Carlo Masala, profesor dhe ekspert ushtarak në Universitetin Bundeswehr në Mynih, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbrojtja e re kundër dronëve "duket të jetë një taktikë e re për t’i rikthyer manovrat në luftë".
Me efektivitetin e dronëve të lirë FPV, të aftë për të shkatërruar tanke me vlerë deri në miliona dollarë, të dyja palët në konflikt janë përpjekur të kryejnë sulme në pajisje të blinduara që dikur ishin në qendër të taktikave ushtarake.
Në muajt e fundit, sipas Masalas, janë parë “vetëm inkursione nga disa ushtarë pas vijave të armikut". Lëvizjet e mëdha të trupave dhe automjeteve kanë qenë kryesisht të kufizuara në ditët me mjegull kur dukshmëria e dobët zvogëlon kërcënimin e zbulimit.
Një anëtar i ekuipazhit të një tanku rus.
Por, mbrojtja e re e pazakontë besohet se vjen me kompromise drastike për ekipet e tankeve.
Shoferi i një tanku rus e ka dhënë së fundmi një intervistë për një media, përgjatë së cilës ka treguar se ka tanke të pajisura me mbrojtje në formë iriqi.
Sipas tij, si rezultat i peshës së shtuar, tanku "nuk ka arritur as 10 kilometra para se një nga [komponentët e sistemit të transmisionit] të dështonte". Ai ka treguar se mbrojtja e re me aq shumë armaturë në formë iriqi do të thotë se "stresi në komponentët [e tankut] është i madh".
Masala beson se të meta të tilla "duket se pranohen në mënyrë që të rikthehen manovrat në luftë".
Ukrainasit duke rregulluar telat plastikë që do të vendosen më pas në një tank.
Zyrtarja ukrainase për media Rybakova ka treguar se ka qenë dëshmitare e një versioni të hershëm të blindazhit në formë iriqi kur një ekip ukrainas i ka lidhur disa kabllo plastike të projektuara për t’i kapur helikat e dronëve.
Automjeti i rëndë është përdorur si karrem për të tërhequr vëmendjen prej trupave ukrainase që po tërhiqeshin nga pozicionet e tyre. "Dronët e armikut fluturuan drejt tankut. Pati rreth pesë ose gjashtë goditje, të cilat ekuipazhi pothuajse nuk i ndjeu", ka thënë Rybakova.
"Por, pastaj armiku hodhi një minë antitank", e cila, sipas saj, i ka vënë flakën motorit të automjetit.
“Është për të ardhur keq për tankun, por njerëzit mbetën gjallë dhe detyra u krye”, ka thënë mes tjerash ajo.