Nëntë të arrestuar për krime lufte në Zubin Potok lidhur me rastin e “Grupit të Intelektualëve”

Një polic gjatë operacionit policor në Zubin Potok. Fotografi e publikuar nga Prokuroria Speciale.

Gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, thanë autoritetet. Operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Sipas Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës operacioni i koduar “Dosja 23” u realizua në orët e hershme të mëngjesit të 27 shtatorit në Zubin Potok, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet nuk dhanë më shumë detaje për këtë operacion të.

Megjithatë, ai vjen pasi më 19 shtator u konfirmua, përmes analizës së ADN-së, se mbetjet mortore të tri viktimave të gjetura në varrezat masive në Zubin Potok, i përkisnin “Grupit të Intelektualëve”.

Më vonë, familjarët konfirmuan se njëri nga viktimat e identifikuara ishte Idriz Rrecaj.

Lista Serbe e cilëson "hakmarrje" ndaj serbëve operacionin në veri

Lidhur me arrestimet në komunën e Zubin Potokut ka reaguar Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në reagimin e kësaj partie lidhur me arrestimet u tha se në veri të Kosovë ka “frikë, shqetësim dhe pasiguri”.

“Ky nuk është një proces ligjor, me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për mbrojtje, por hakmarrje dhe mënyra e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit për përndjekjen e serbëve. Fakt është se serbët në Zubin Potok muajt e fundit janë nën një terror të tmerrshëm që të kujton një pushtim”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Aty thuhet po ashtu se publikut nuk i janë paraqitur konkrete që do ta “justifikonin këtë trajtim ndaj familjeve të tëra dhe komuniteteve lokale”.

Nga Lista Serbe kërkuan që të arrestuarve t’u sigurohet kontakt i papenguar me avokatët dhe familjet, si dhe që procesi të mos jetë i ndikuar nga presioni politik.

Ndryshe, “Grupi i Intelektualëve” përbëhej kryesisht nga qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët, sipas autoriteteve në Kosovë, ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

SHIKONI EDHE:

Veprimtari Idriz Rrecaj është ndër të identifikuarit në varrezat masive në Zubin Potok, njofton familjaKurti: Është konfirmuar identiteti i tri viktimave nga varret masive në Zubin Potok, i përkasin "Grupit të Intelektualëve"

Në mesin e 23 personave të këtij grupi shqiptarësh kishte veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut.

Në gusht të këtij viti, autoritetet kryen gërmime në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut ku zbuluan tri varreza masive dhe u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 persona. Më pas, mostrat e mbetjeve të mortore u dërguan në Hagë të Holandës për identifikim përmes ADN-së.

SHIKONI EDHE:

"Shpresë dhe frikë": Familjarët e të zhdukurve presin me ankth rezultatet e zhvarrimeveÇfarë ndodh me mbetjet mortore që u gjetën në veri? Flasin nga komisioni që do të ndihmojë në identifikimin e tyre

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pritet që në “javët në vijim” Kosova të pranojë rezultatet edhe për mostrat e tjera që u dërguan në Hagë për ekzaminim.

Varrezat në Zubin Potok u zbuluan pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas Prokurorisë Speciale.

Paraprakisht për këtë rast janë arrestuar katër persona, të identifikuar me iniciale J.R., M.J., R.K dhe M.B., të cilët janë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Që të katër ndodhen në paraburgim.

Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

SHIKONI EDHE:

Policia: Janë gjetur dëshmi se një nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.