Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se, pas veprimeve hetimore, ka ndaluar pesëmbëdhjetë persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale që lidhen me mashtrimin kompjuterik dhe keqpërdorimin e kartelave bankare.
Të ndaluarit dyshohet se gjatë periudhës janar – tetor 2024 në komunën e Vitisë kanë vepruar në mënyrë të organizuar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pasuri përmes ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të një institucioni bankar.
SHIKONI EDHE: Siguria kibernetike në Kosovë, fushë e re me shumë sfidaSipas Prokurorisë, ata kanë shfrytëzuar një hapësirë kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit të transaksioneve mes shërbimeve bankare online dhe automatëve për para për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar një dëm të përgjithshëm prej 186 mijë eurosh.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se ndaj të ndaluarve do të kërkohet masa e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale "Mashtrimi kompjuterik" dhe "Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.