Arrestohet Artan Grubi pas më shumë se një viti në arrati

Artan Grubi.

Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, rast për të cilin ka raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.

Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.

Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore më vonë gjatë ditës.

SHIKONI EDHE: Qindra miliona euro dëm në buxhetin e Maqedonisë V. – Konfiskim minimal i pasurisë

Prokuroria pati kërkuar ndalimin e Grubit dhe Bajramit, me arsyetim se ekziston dyshim i bazuar se veprimet e të dyve kanë pasur qëllim përfitimin e paligjshëm material.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Penale pati kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Grubin dhe Bajramin dhe po atë ditë autoritetet maqedonase patën lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar për të dyja figurat.

Artan Grubi pati thënë përmes një postimi në Facebook se nuk po arratiset mirëpo që ishte në një vizitë private në Kosovë dhe që do të kthehej në shtëpi. Ditën pas asaj deklarate, policia ka kërkuar në dy lokacione mirëpo nuk e ka gjetur atë.

Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski pati thënë atëbotë se Grubi “bashkë me një person tjetër, biznesmen, është larguar nga Maqedonia [e Veriut] me makinë me targa diplomatike dhe është nisur drejt vendit fqinj Kosovës” dhe që Bajrami, sipas tij, nuk ka qenë brenda territorit maqedonas për kohë të gjatë.

Mes tjerash, Grubi është futur në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit më 9 dhjetor, për shkak të, siç është thënë, përfshirjes në korrupsion, për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të mashtruar gjyqësorin.

Arsyetimi për përfshirje në këtë listë ishte sepse ata kanë marrë ryshfet për të ndikuar në procedurat gjyqësore që lidhen me dënimin penal të ish-drejtorit të Administratës së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov, në rastin "Target" të hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), i cili kishte të bënte me përgjimet masive.

SHIKONI EDHE: Artan Grubi tërhiqet nga politika

Grubi ishte anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të opozitës, dikur deputet dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së.