“Shoqëria po shtypet”: Artistja iraniane rrëfen për jetën në Teheran

Artistja iraniane, Parastou Forouhar në studion e saj në Gjermani më 2023.

Artisja iraniane në mërgim, Parastou Forouhar, kthehet në Teheran çdo vit në përvjetorin e vrasjes politike të prindërve të saj. Këtë vit ajo tha se u përball me një “atmosferë të rëndë” të shkaktuar nga lufta, sanksionet dhe vështirësitë ekonomike.

“Më shumë se gjithçka tjetër, ajo që bie më shumë në sy është ndjesia se shoqëria po shtypet nën presionin e këtyre kohërave”, tha Foruhar për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë. Ajo këtë deklaratë e bëri nga Teherani më 23 nëntor.

“Kriza ekonomike, vështirësitë me të cilat po përballen njerëzit dhe varfëria janë shumë të dukshme. Kjo përpjekje e vazhdueshme për të përballuar jetën e përditshme, vetëm për të pasur një jetë të thjeshtë, modeste dhe dinjitoze, duket në çdo lëvizje që bëjnë njerëzit”, shtoi ajo.

Mbledhja e disidentëve

Forouhar foli një ditë pasi mbajti aktivitetin e përvitshëm në shtëpinë e familjes së saj, ku prindërit iu therën me thikë më 1998.

Dariush Forouhar dhe bashkëshortja e tij, Parvaneh Eskandari, kishin udhëhequr një parti të vogël politike që kundërshtonte autoritetet klerikale të Iranit dhe ata vdiqën në mes të një vale vrasjesh të disidentëve dhe intelektualëve.

Që atëherë, Forouhar, e cila jeton në Gjermani, organizon tubim të përvitshëm në ish-shtëpinë e familjes në Teheran, pavarësisht se përballet me frikësime nga autoritetet.

Video nga arkivi: Parastou Forouhar lufton me art kundër regjimit

Your browser doesn’t support HTML5

Me art kundër regjimit: Lufta 25-vjeçare e një iranianeje

Ajo ka vazhduar ta bëjë këtë, pavarësisht frikës se mund të arrestohet ose të mos lejohet të kthehet në Gjermani, siç deklaroi për Radion Evropa e Lirë më 2023. Vizita e saj vitin e kaluar ndodhi pas luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit. Këtë vit, vizita e saj u zhvillua në kohën e konfliktit me Shtetet e Bashkuara, i cili nisi me sulmet ajrore amerikane dhe izraelite më 28 shkurt.

“Nuk prisja që, në kushte kaq të vështira dhe të rënda, të vinin kaq shumë njerëz” në tubimin përkujtimor, tha ajo.

“Aty ishin njerëz nga breza dhe me histori të ndryshme, që kërkojnë drejtësi, aktivistë politikë, të shoqërisë civile dhe qytetarë me bindje të ndryshme intelektuale dhe ideologjike, si dhe një numër i madh të rinjsh, të cilët janë bërë shtylla kryesore e kësaj ceremonie”, shtoi ajo.

Forouhar tha se autoritetet e paralajmëruan atë dhe të tjerët që të mos mblidheshin për përvjetorin e këtij viti, duke iu referuar një fjalimi që ajo mbajti vitin e kaluar, në të cilin bëri thirrje për “drejtësi për krimet politike”.

Këtë qëndrim ajo e ka shprehur shumë herë në të kaluarën. Prej vitesh, ajo ekspozon vepra arti me përmbajtje të qartë politike, që sfidojnë Republikën Islamike, në galeri dhe ekspozita në mbarë botën.

Kundër luftës

Forouhar është kritike edhe ndaj sulmeve ushtarake amerikane dhe izraelite kundër Iranit.

Ndonëse pranoi se Teherani mund ta shfrytëzojë qëndrimin e saj për qëllimet e veta politike, ajo tha se megjithatë është e rëndësishme që të flasë publikisht për këtë çështje.

“Në mesin e shumë njerëzve që u mblodhën këtu dje, një çështje që u theksua vazhdimisht ishte pikërisht qëndrimi parimor kundër agresionit të huaj gjatë muajve të fundit”, tha ajo.

Kjo përfshin, shtoi ajo, “agresionin që paraqitet si një ndihmë për luftën e popullit për liri”.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë kanë paraqitur objektiva të ndryshme të luftës, dhe shumica nga to lidhen me programin bërthamor të Iranit, por në periudha të ndryshme kanë përmendur edhe “ndryshimin e regjimit” dhe mbështetjen për iranianët që iu bashkuan protestave masive mbarëkombëtare në janar.

Protestat, të nxitura kryesisht nga vështirësitë e mëdha ekonomike, u shtypën brutalisht dhe mijëra njerëz u vranë, u rrahën dhe u arrestuan nga forcat e sigurisë.

Që atëherë, Irani ka vazhduar të shtypë çdo shenjë të disidencës, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar një rritje të numrit të ekzekutimeve të të burgosurve të dënuar për akuza politike, përfshirë shumë prej atyre që morën pjesë në trazirat e janarit.

SHIKONI EDHE:

BE dhe shtetet perëndimore dënojnë ekzekutimet në Iran

Ndonëse veprimet ushtarake amerikane dhe izraelite gjerësisht janë ndaluar, Uashingtoni ka vazhduar presionin përmes një bllokade detare, e cila e ka rënduar edhe më tej ekonominë tashmë të dobësuar, duke penguar eksportet iraniane të naftës. Sipas zyrtarëve, synimi është që Irani të rikthehet në tryezën e negociatave.

“Bllokada dhe sanksionet ekonomike po e shkatërrojnë ekonominë e tyre. Dhe kjo është e trishtueshme. Populli iranian meriton më shumë sesa të jetë një vend i botës së tretë, drejt së cilës po e çon udhëheqja e tij. Por, këtë situatë ua sollën udhëheqësit e tyre”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më 10 nëntor.

SHIKONI EDHE:

Ekonomia e Iranit buzë greminës për shkak të luftës

Dëmet e shkaktuara nga lufta në objektet energjetike kanë bërë që Irani të hyjë në dimër me mungesë të gazit, teksa kolapsi i ekonomisë iraniane ka çuar edhe në kufizimin e bukës së subvencionuar, në disa zona. Mungesa e karburantit ka shkaktuar radhë në pikat e karburantit dhe kufizime të furnizimit me energji elektrike.

“Sanksionet, të cilat kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm dhe kanë rënduar jetën e përditshme të njerëzve, qasjen e pacientëve në barna dhe në çdo qelizë të kësaj shoqërie, duket se po shkaktojnë një efekt gërryes”, tha Forouhar.

“E ndien këtë dhe është shumë e hidhur dhe e rëndë: Një atmosferë e rëndë ka pllakosur qytetin”, shtoi ajo.

Përgatiti: Mimoza Sadiku