Kërkohet hetim i rezultatit të zgjedhjeve lokale në Ferizaj, KQZ-ja thotë se materiali u asgjësua

Rinumërimi i votave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit në QNR. Fotografi ilustruese.

Tridhjetetre ish-kandidatë për Kuvendin Komunal të Ferizajt i janë drejtuar Prokurorisë Themelore në këtë komunë duke kërkuar zgjerim të hetimeve lidhur me rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë kërkuar masa të jashtëzakonshme verifikuese.

Megjithatë, KQZ-ja ka certifikuar rezultate për këto zgjedhje dhe ka asgjësuar materialin zgjedhor.

Bashkim Fazliu, që garoi si i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, tha se po kërkojnë zgjerim të hetimeve, pasi dyshon se ka pasur manipulim të rezultateve zgjedhore, njësoj sikurse është vërejtur edhe për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit, sa i përket votave për kandidatë për deputetë.

“Kërkesën e parë e kemi dorëzuar te Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe për dijeni do t’ia dërgojmë edhe Laura Pulës, koordinatore nacionale për zgjedhje. Në prokurori kemi bërë kërkesë për zgjerim të hetimeve që janë duke u bërë për 28 dhjetorin pasi është natyra e njëjtë, janë komisionerët pothuajse të njëjtë”, tha ai, duke shtuar se ekziston dyshimi se komisionerët mund të kenë keqpërdorur votat edhe për votimet e 12 tetorit.

Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, javën e kaluar u ndaluan 109 persona, nën dyshimet për keqpërdorime të rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit. Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ndonëse në Prizren, manipulimi vlerësohet se ishte në shkallë më të lartë, edhe në Ferizaj dhe Malishevë kanë nisur hetimet për keqpërdorim të mundshëm të rezultatit zgjedhor.

SHIKONI EDHE:

Gjykata urdhëron një muaj paraburgim për 23 të dyshuar për manipulim të votave në PrizrenKurti: S'ka amnisti për komisionerë e individë të përfshirë në manipulime votashProkuroria në Prizren: 109 të ndaluar për manipulim të votave

Fazliu tha për mediat se nga KQZ-ja është kërkuar ndërmarrja e masave të jashtëzakonshme verifikuese “pas daljes në pah të provave të reja të keqpërdorimeve dhe manipulimeve që kanë ndodhur më 28 dhjetor”.

“Ne KQZ-së i kemi kërkuar ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme verifikuese, pastaj një ndër kërkesat është edhe rinumërimi i fletëvotimeve. Nëse del rezultati i njëjtë për hair ju qoftë, nëse nuk del rezultati i njëjtë kërkojmë anulimin e certifikimit”, tha ai, duke shtuar se për dallim nga zgjedhjet e përgjithshme, për ato lokale edhe një votë përcakton se kush hyn në Kuvend Komunal, e kush jo.

Fazliu tha se nuk ka parë informacion që për zgjedhjet lokale, rezultati i të cilave u certifikuan në fillim të dhjetorit 2025, është asgjësuar materiali zgjedhor.

Megjithatë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në përputhje me ligjin, materiali zgjedhor për zgjedhjet lokale të tetorit është asgjësuar.

Ligji parasheh që materiali zgjedhor të shkatërrohet brenda 60 ditësh, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, veç nëse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendos ndryshe.

Elezi nga KQZ tha se në procesin e shkatërrimit të materialeve janë përjashtuar ato për të cilat Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat “janë duke i trajtuar”.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Prokurorisë së Shtetit me pyetjen nëse në mesin e materialeve që mund të jenë duke u trajtuar ka edhe nga komuna e Ferizajt, por ajo ridrejtoi pyetjet për Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Nga organi ndjekës në Ferizaj ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, për shkak të mospërputhjeve të vërejtura te votat e kandidatëve për deputetë, më 19 janar KQZ-ja vendosi rinumërim të plotë të votave të rregullta.

*Në videon e mëposhtme shpjegojmë se si u manipuluan votat e kandidatëve për deputetë

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova në rinumërim: Si u manipuluan votat e kandidatëve për deputetë?


Rinumërimi pritet të shtyjë edhe më shumë formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.