Automjetet e ushtrisë ruse po lyhen vija-vija, me ngjyra të ndezura, për të çorientuar sistemet e dronëve me inteligjencë artificiale të Ukrainës, thonë ekspertët. Tani, kjo taktikë e “maskimit” duket se ka nisur një lojë të rrezikshme me taktikën “kukafshehtas” në autostradat e territorit që kontrollohet nga rusët në Ukrainë.
Fotografitë e automjeteve ushtarake ruse me “kamuflazh çorientues”, janë shfaqur ditëve të fundit, teksa Ukraina ka intensifikuar fushatën me dronë të ashtuquajtur me “rreze të mesme” veprimi për të goditur pajisjet logjistike ruse, që gjenden deri në 200 kilometra larg nga vijat e frontit.
Ukraina po lëshon dronë kamikazë, përfshirë Hornet, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, në sulmet e saj të vazhdueshme me rreze të mesme veprimi, të cilat kanë përfshirë edhe shkatërrimin e kamionëve në rrugë që përdoren si nga automjetet civile, ashtu edhe ato ushtarake.
Një automjet rus i logjistikës i lyer me ngjyra bardhë e zi i fotografuar në një vendndodhje të paspecifikuar.
Geert De Cubber, specialist i sistemeve autonome në Akademinë Ushtarake të Belgjikës, tha se sistemet ushtarake të inteligjencës artificiale trajnohen me fotografi të objektivave të qartë dhe lehtësisht të identifikueshëm përpara se të përdoren në fushëbetejë.
“Algoritmit i jepet një numër shumë i madh imazhesh të klasifikuara në kategori dhe ai mëson vetë se si t’i lidhë karakteristikat si ngjyrat, modelet, teksturat dhe gradacionet në imazh me kategoritë e caktuara”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.
Në kontekstin e Ukrainës, elemente vizuale si skemat e ngjyrës së gjelbër ushtarake dhe simboli “Z”, i lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, do të ishin të dhëna të dukshme për algoritmet për identifikim vizual.
Modelet me vija, si ato të zebrës, të ngjyrosura në kamionë ditëve të fundit mund të jenë në gjendje që të ngatërrojnë disa sisteme optike të zbulimit, shpjegoi De Cubber.
“Nëse këto modele çorientuese nuk janë në bazën e të dhënave të dronëve, ata sigurisht mund të ndikojnë në performancën e sistemit të identifikimit”, tha ai.
Në përdorimet ushtarake, tha eksperti i robotikës, sistemet e inteligjencës artificiale për identifikimin e objektivave duhet të mbeten të kufizuara.
“Nëse e trajnon algoritmin me autobusë ushtarakë, nuk do të dëshiroje që ai ta zgjerojë identifikimin edhe tek autobusët shkollorë”.
Një dron kamikaz Hornet i fotografuar duke fluturuar mbi një autostradë afër Mariupolit, territor ukrainas që është pushtuar nga Rusia.
Todd E. Humphreys, ekspert i hapësirës ajrore dhe inteligjencës artificiale në Universitetin e Teksasit në Austin, pajtohet se taktika e lyerjes së automjeteve mund të jetë më efektive sesa mendojnë shumë njerëz.
“Lyerjet me modele çorientuese i nxjerrin automjetet ‘jashtë modelit të njohur’ – ato nuk duken më për klasifikuesin e inteligjencës artificiale si imazhet me të cilat ai është trajnuar”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, çdo model i veçantë i tillë do të kishte një jetëgjatësi të shkurtër, shtoi Humphreys.
“Njeriu mund ta dallojë lehtësisht maskimin, por klasifikuesi i inteligjencës artificiale do të duhej të ritrajnohej me mijëra imazhe automjetesh të lyera me ngjyra çorientuese. Pas kësaj, modeli i lyerjes mund të ndryshohej sërish dhe gjithçka do të fillonte nga e para”.
Një kamion rus i lyer me vija në formë të përdredhur.
Ky evolucion i modeleve duket se mund të ketë nisur tashmë. Imazhet e fundit tregojnë një kamion rus të lyer me ngjyra bardhë e zi në formë të përdredhur, ndryshe nga vijat që ka një zebër, model që është parë më herët në rrjetet sociale.
Një zëdhënës i Brave1, një nismë ukrainase që qëndron pas shumë prej inovacioneve të Ukrainës në fushëbetejë, i tha REL-it se forcat ruse “po testojnë vazhdimisht kamuflime të reja, dhe ne po përshtatemi po ashtu vazhdimisht për të siguruar efektivitetin e operacioneve luftarake”, duke shtuar se nuk kishte “asnjë koment për specifikat”.
Disa ekspertë kanë sugjeruar se droni Hornet, që përdoret nga Ukraina, është i aftë që të identifikojë dhe të godasë objektiva në mënyrë plotësisht autonome.
Megjithatë, zëdhënësi i Brave1 tha se sulmet me dronë “janë gjithmonë të autorizuara nga një njeri”, duke shtuar se “inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në disa pjesë të procesit, por një person është gjithmonë plotësisht në kontroll”.
Një dron Hornet gjatë një demonstrimi në Gjermani në muajin mars.
Dronët sulmues Hornet, të prodhuar në SHBA, janë përdorur nga Ukraina që nga kjo pranverë dhe kushtojnë rreth 6.000 dollarë për njësi, sipas raportimeve. Këta dronë prej polistireni thuhet se ofrojnë një “sistem sulmi zgjedh dhe kryej punë”, në të cilin operatori zgjedh një cak specifik që mund të jetë identifikuar më parë nga inteligjenca artificiale, dhe më pas droni niset vetë për të goditur objektivin. Një kapacitet i tillë mund t’i lejojë një operatori të vetëm të mbikëqyrë disa dronë njëkohësisht, ndërsa ata patrullojnë në kërkim të caqeve.
Nga ana tjetër, ushtria ruse më parë ka përdorur pajisje të kamofluara gjatë luftës në Ukrainë. Pamje të aeroplanëve ushtarakë rusë me goma të vendosura mbi krahë, të publikuara në vitin 2023, kishin habitur vëzhguesit.
Në vitin pasues, Schuyler Moore, atëkohë shefe e teknologjisë në Komandën Qendrore të SHBA-së, e ngriti këtë temë gjatë një diskutimi mbi shënjestrimin me inteligjencë artificiale si një “shembull klasik i deklasifikuar” i maskimit.
“Po kërkoni një aeroplan dhe pastaj, nëse vendosni goma mbi krahët e tij, papritur shumë modele të vëzhgimit kompjuterik e kanë të vështirë të identifikojnë se ai është një aeroplan”, tha ajo.
Një bombardues strategjik rus shihet i mbuluar me goma, teksa qëndron i parkuar në bazën ajrore Engels-2, afër Saratovës më 2023.
Për raketa me rreze të gjatë veprimi që mund të programohen për të identifikuar dhe për t’u orientuar në mënyrë autonome drejt aeroplanëve në pistë, një mashtrim kaq i thjeshtë mund të çorientojë edhe sisteme të avancuara armësh.
Rusia më parë ka pikturuar gjithashtu silueta nëndetësesh dhe aeroplanësh në bazat e saj, në përpjekje për të mashtruar armikun që të gjuajë raketa drejt betonit bosh.