Aktakuzë ndaj një të dyshuari për pjesëmarrje në sulmin në Banjskë

Rruga në drejtim të fshatit Banjskë të Zveçanit, ku ndodhi sulmi i vitit 2023.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi më 26 tetor se ka ngritur aktakuzë ndaj S.R. për pjesëmarrje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai akuzohet për kryerjen e veprës terroriste dhe vepra "të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas Prokurorisë, S.R. mori pjesë në sulm “si pjesë e një grupi terrorist të strukturuar dhe të armatosur rëndë”, bashkë me të pandehurit e përfshirë në aktakuzën e ngritur më 11 shtator 2024.

Ai ishte arrestuar më 17 prill 2026 në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Merdar.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e kishte identifikuar atëherë të arrestuarin si Stefan Raduloviq.

Në sulmin e Banjskës, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë edhe tre sulmues.

Aktakuza e shtatorit 2024 përfshinte 45 të pandehur. Sipas saj, grupi kishte synuar shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa tij. Beogradi i ka mohuar këto akuza.

SHIKONI EDHE:

Kosova arreston një burrë nën dyshimin për përfshirje në sulmin në Banjskë