Banka Qendrore e Rusisë i quan të “jashtëligjshme” planet e BE-së për përdorimin e aseteve të saj

Një grua ec pranë selisë së Bankës Qendrore të Rusisë në Moskë.

Banka Qendrore e Rusisë tha të premten se planet e Bashkimit Evropian për t’i përdorur asetet e saj janë të “jashtëligjshme” dhe se ajo gëzon të drejtën për t’i përdorur të gjitha mjetet e në dispozicion për mbrojtjen e interesave të veta.

Në një komunikatë, Banka Qendrore tha se po e padit institucionin financiar me qendër në Bruksel, Euroclear - i cili mban shumë nga asetet ruse - në një gjykatë në Moskë për shkak të atyre që ajo i përshkroi si “veprime dëmtuese”.

“Mekanizmat e përdorimit të drejtpërdrejtë apo tërthorazi të aseteve të Bankës së Rusisë, si dhe çdo formë tjetër e përdorimit të paautorizuar të aseteve të Bankës së Rusisë, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë shkeljen e parimeve të imunitetit sovran të aseteve”, tha banka.

Ajo iu referua një njoftimi për shtyp të Komisionit Evropian, i publikuar më 3 dhjetor, i cili parashtroi dy zgjidhje për t'i mbështetur nevojat financiare të Ukrainës në vitet 2026 dhe 2027.

SHIKONI EDHE: A janë asetet e ngrira ruse arma e Evropës për të siguruar një vend në bisedimet për Ukrainën?

Sipas njërës prej këtyre zgjidhjeve, Komisioni do të ishte në gjendje t’i marrë hua bilancet e parave të gatshme nga institucionet financiare të BE-së që mbajnë asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, për ta lëshuar një hua dëmshpërblimi për Ukrainën.

Zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se një veprim i tillë do të merrte “përgjigjen më të ashpër”.

Qeveritë e Bashkimit Evropian synojnë të arrijnë pajtueshmëri të premte për t’i ngrirë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, të cila janë të bllokuara në Evropë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke e zëvendësuar nevojën për votim çdo gjashtë muaj për ngrirjen e tyre, thanë diplomatët e BE-së.

Banka Qendrore e Rusisë tha se zbatimi i këtyre planeve do të sfidohet në “gjykatat kombëtare, autoritetet gjyqësore të shteteve të huaja dhe organizatat ndërkombëtare, tribunale arbitrazhi dhe instanca të tjera gjyqësore ndërkombëtare, e ndjekur nga zbatimi i vendimeve gjyqësore në territoret e shteteve anëtare të OKB-së”.