BE-ja kërkon pezullimin e rrënimit të shtëpive buzë Ujmanit

Një shtëpi e rrënuar në afërsi të Liqenit të Ujmanit më 21 korrik.

Zyra e Bashkimit Evropian ka kërkuar që të ndërpritet rrënimi i shtëpive buzë Liqenit të Ujmanit, teksa shprehu keqardhje për aksionin e një dite më parë të ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës.

Lidhur me aksionin e autoriteteve të Kosovës kanë shprehur shqetësim edhe Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Britanisë në Kosovës.

Sipas Bashkimit Evropian, me rrënimin e shtëpive në Ujman nuk u respektuan "procedurat e rregullta ligjore".

Blloku evropian tha se aksioni i së martës i autoriteteve të Kosovës u ndërmor në kohën kur banorët kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor, të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”.

“BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”, thuhet në reagim.

Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” tha se 11 shtëpitë e rrënuara ndodheshin ilegalisht në pronën e saj.

SHIKONI EDHE:

Pse po rrënohen shtëpitë në zonën e Liqenit të Ujmanit?

Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Faruk Mujka, tha se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin shtëpitë, por pas moszbatimit të kërkesës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nisën zbatimin e vendimit për rrënimin e tyre më 21 korrik.

Ndërkaq, BE-ja kërkoi që të ndërpriten menjëherë të gjitha rrënimet, largimet e detyruara apo marrjet në posedim të pronave, derisa të adresohen shqetësimet lidhur “me procedurën e rregullt ligjore”, duke kërkuar që autoritetet të bashkëpunojnë me banorët dhe komunat e prekura dhe të gjejnë zgjidhje ligjore.

“Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrenë shqetësime serioze për sundimin e ligjit”, tha BE-ja, duke shtuar se pret nga Kosova që në përputhje me rrugën evropiane, të adresojë këto shqetësime me urgjencë dhe “veprime të ngjashme të mos përsëriten”.

Ndërkaq, Ambasada gjermane në Prishtinë tha se ndan shqetësimet e shprehura nga BE-ja.

“Jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me rrëzimin e shtëpive në Ujman”, tha Ambasada gjermane, duke kërkuar që të ketë procese të rregullta ligjore.

“Ne bëjmë thirrje që veprime të tilla të ndalen menjëherë dhe bëjmë thirrje për transparencë dhe zgjidhje të ligjshme”.

Edhe Ambasada britanike në Kosovë shprehu shqetësim për rrënimin e shtëpive në veri, duke theksuar se sundimi i ligjit përkon proces transparent dhe të prekurit të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre.

Sipas ambasadës, shqetësuese për të është se ky aksion është kryer përderisa po vazhdojnë proceset ligjore.

“Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të paanshme në mbarë Kosovën. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen me komunitetet e prekura, të adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprimet e mëtejme që mund të minojnë besimin e publikut apo besimin në mes të komuniteteve”, u tha në reagimin e Ambasadës britanike në Prishtinë.

Branimir Mihajlloviq, banor i Mitrovicës së Veriut dhe pronar i një shtëpie në Ujman, i tha Radios Evropa e Lirë se vitin e kaluar kishte paraqitur kërkesë për legalizimin e pronës në sistemin e Kosovës dhe ishte i gatshëm të paguante qiranë ndaj institucioneve të Kosovës.

“Unë i kam të gjitha dokumentet. Papritur si pronar u paraqit ‘Ibër-Lepenci’. Ne nuk ndodhemi fare në brezin ujor. Edhe nëse do të ishim, do të paguaja qira dhe tatime. Kam paguar edhe energjinë elektrike. Sipas ligjit, toka mund të jepet me qira dhe pikërisht këtë kemi kërkuar”, tha Mihajlloviq më 21 korrik.

Rrënohen shtëpi buzë Liqenit të Ujmanit

Ai tregoi se, së bashku me pronarët e tjerë të shtëpive, kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, kanë paraqitur ankesë tek Avokati i Popullit dhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“S’është mbajtur asnjë seancë. Kërkuam pezullim të përkohshëm të rrënimit, por ende nuk ka vendim”, deklaroi ai.

Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Ai konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.

Ndryshe, që nga viti 2024, autoritetet në Kosovë kanë nisur mbylljen e institucioneve serbe, duke i cilësuar ato si paralele dhe të paligjshme. Veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri shpesh janë përballur me kritika nga faktori ndërkombëtar.