BE-ja shqyrton masa në shumë fronte për t’ua kufizuar rusëve hyrjen në bllok

Një roje kufitare kontrollon dokumentet e një drejtuesi mjeti në një pikëkalim midis Rusisë dhe Finlandës. Fotografi nga arkivi.

Bashkimi Evropian po punon në disa drejtime për ta kufizuar numrin e shtetasve rusë që mund të hyjnë në bllok, përfshirë edhe mundësinë ekstreme të ndalimit të plotë të të gjitha udhëtimeve joesenciale në zonën Shengen.

Kjo vjen pasi Brukseli dhe disa shtete anëtare të BE-së kanë ngritur shqetësime se individë që përdorin statusin diplomatik rus, ose udhëtojnë me viza turistike, kanë luajtur rol kyç në lloje të ndryshme sulmesh hibride brenda bllokut.

Së fundmi, autoritetet gjermane zbuluan se i dyshuari kryesor për sulmin me dronë në aeroportin e Lajpcigut në gusht, që shkaktoi ndërprerje të mëdha të trafikut, kishte shtetësi të dyfishtë bjelloruse dhe ruse dhe kishte hyrë në BE me një vizë turistike Shengen të lëshuar nga Italia.

Në një dokument politikash të presidencës së BE-së, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, trajtohen mundësitë e ndryshme për vizat e shtetasve rusë.

SHIKONI EDHE:

Çfarë pritet nga samiti i tetorit i BE-së

Në dokument thuhet se “zgjidhja e vetme që do të ishte efektive në afat të gjatë është mundësia e miratimit të masave kufizuese për vizat, të cilat do t’i ndalonin udhëtimet joesenciale për shtetasit e një kombësie të caktuar”.

Në dokument theksohet se për një masë të tillë do të nevojiteshin ndryshime në Kodin e Vizave të BE-së dhe se “këto masa për vizat do të zbatoheshin në mënyrë të njëtrajtshme, si pjesë e legjislacionit të BE-së”.

Ndryshimi i Kodit të Vizave do të bëhej përmes procedurës së shumicës së cilësuar, që nënkupton mbështetjen e 55 për qind të shteteve anëtare, të cilat përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së.

Një rishikim më i gjerë i Kodit të Vizave të BE-së mund të bëhet më vonë gjatë këtij viti, por disa shtete anëtare, veçanërisht në Evropën Jugore, ende hezitojnë t’i ndërpresin plotësisht mundësitë për kontakte të drejtpërdrejta mes qytetarëve të tyre dhe shtetasve rusë.

Menjëherë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, në vitin 2022, BE-ja pezulloi plotësisht marrëveshjen me Rusinë për lehtësimin e vizave, e cila mundësonte viza më të lira, viza me shumë hyrje dhe procedura më të thjeshta për marrjen e tyre.

SHIKONI EDHE:

Gjermania thotë se Rusia qëndron pas "sulmit hibrid" në aeroportin e Lajpcigut

Brukseli u dërgoi gjithashtu udhëzime shteteve anëtare për mënyrën se si duhet t’i trajtojnë kërkesat për viza nga shtetasit rusë, duke u dhënë përparësi kërkesave për të ashtuquajturat “udhëtime esenciale”.

Në këtë kategori përfshihen udhëtimet për arsye humanitare, përfshirë ato të përfaqësuesve të shoqërisë civile, disidentëve politikë, gazetarëve të pavarur, si dhe udhëtimet për bashkim familjar.

Qasje të ndryshme

Këto udhëzime nuk janë detyruese, që nënkupton se secili shtet anëtar i BE-së gëzon diskrecion të gjerë për mënyrën se si i trajton kërkesat për viza nga shtetasit rusë. Si rezultat, në Evropë janë krijuar qasje të ndryshme ndaj këtyre kërkesave.

SHIKONI EDHE:

Pas dëbimit nga Mali i Zi, blogeri rus kthehet nga Serbia në Rusi

Derisa shumë vende në krahun lindor të BE-së, që kufizohen me Rusinë, kanë vendosur rregulla shumë të rrepta dhe lejojnë hyrjen e shumë pak shtetasve rusë, vendet e Evropës Jugore, të interesuara për turistët gjatë verës, kanë qenë më zemërgjera në lëshimin e vizave turistike Shengen për rusët.

Në vitin 2025 u shënua një rekord që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës: shtetasve rusë iu lëshuan 477.878 viza për qëllime turistike. Shumica dërrmuese e tyre u miratuan nga Greqia, Italia, Franca dhe Spanja.

Derisa të merret një vendim i mundshëm për ndalimin e plotë të hyrjes, BE-ja po punon paralelisht në tri drejtime për të zvogëluar numrin e vizitorëve rusë: ndalimin e hyrjes për ish-luftëtarët në Ukrainë, kufizimin e lëvizjes së diplomatëve rusë dhe përdorimin e të ashtuquajturave viza me vlefshmëri të kufizuar territoriale (LTV), të cilat mundësojnë qëndrimin vetëm në shtetin që e ka lëshuar vizën, duke ia ndaluar mbajtësit të saj udhëtimin në vendet e tjera të zonës Shengen.

Në dokumentin e presidencës së BE-së thuhet se “vizat LTV paraqiten si masë e përkohshme, në pritje të zbatimit të ardhshëm të një ndalimi të plotë të udhëtimeve për qëllime joesenciale”.

Gjermania ka mbështetur këtë qasje. Sipas dokumentit, qëllimi i kësaj nisme është që vendet që vazhdojnë të lëshojnë viza për udhëtime joesenciale për shtetasit rusë të “marrin përgjegjësi të plotë për këtë veprim”, në një kohë kur shtetet e tjera anëtare ndjekin një qasje shumë më të rreptë.

SHIKONI EDHE:

Serbia përgatitet për Schengen, por nuk planifikon t’i vendosë viza Rusisë

Megjithatë, dokumenti vë në pah edhe kufizimet e kësaj mase, duke theksuar se “kjo bie ndesh me një nga parimet themelore mbi të cilat bazohet zona Shengen, përkatësisht besimin e ndërsjellë. Ajo përbën një rikthim të politikës së vizave për qëndrime afatshkurtra në nivel kombëtar”.

Efekt i kufizuar

Fakti që brenda BE-së pothuajse nuk ka kontrolle kufitare e bën gjithashtu të kufizuar efektin e vizave LTV. Në dokument thuhet se “një vizë LTV e lëshuar për një shtetas rus me qëllime keqdashëse nuk duket se ofron garanci të mjaftueshme sigurie për të parandaluar lëvizjet e mëtejshme brenda zonës Shengen”.

Sa u përket ish-luftëtarëve që udhëtojnë me viza turistike, pritet që së shpejti të ndërmerren hapa.

Konsullatave të ndryshme evropiane në Rusi ka shumë gjasa t’u kërkohet të kontrollojnë dokumentet e shërbimit ushtarak si pjesë e procedurave të zakonshme për lëshimin e vizave.

Megjithatë, mbeten disa probleme. Një prej tyre është fakti se shumë punonjës të konsullatave janë shtetas rusë. Sipas diplomatëve evropianë që kanë njohuri për këtë çështje, Moska i ka kërcënuar ata me masa ligjore nëse kërkojnë dokumente të tilla.

SHIKONI EDHE:

Ministri letonez i Mbrojtjes: Sulmet hibride të Rusisë janë shqetësimi kryesor, jo retorika bërthamore

Në një notë diplomatike, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, po shqyrtohet gjithashtu mundësia e kufizimit të lëvizjes së diplomatëve dhe punonjësve konsullorë rusë brenda BE-së.

Sipas praktikës aktuale, personeli diplomatik rus në BE duhet vetëm t’i njoftojë autoritetet kur udhëton drejt një shteti tjetër anëtar. Tani, megjithatë, po bëhen përpjekje që të vendoset detyrimi për të marrë paraprakisht autorizimin e shtetit që synojnë ta vizitojnë.

Një tjetër ide që po fiton mbështetje në Bruksel është kufizimi i kohëzgjatjes së qëndrimit të diplomatëve dhe zyrtarëve rusë në vendet ku janë të akredituar. Shërbimet evropiane të kundërzbulimit synojnë të dobësojnë rrjetet e spiunazhit të krijuara prej kohësh, në të cilat diplomatët e vendosur për periudha të gjata në një vend shpesh luajnë rol kyç.