Bashkimi Evropian i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka marrë ende hapat e nevojshëm për t'i përballur me drejtësinë përgjegjësit për sulmin në fshatin Banjskë të Kosovës në vitin 2023.
Një zëdhënës i BE-së i ka bërë këto deklarata, teksa e ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 prill i ka dënuar tre të akuzuarit për sulmin: Bllagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Tolliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim.
SHIKONI EDHE:
Kanin: Vetëm paratë mund ta shtyjnë Serbinë të veprojë për BanjskënSulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, si pasojë e të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në këmbim e sipër të të shtënave u vranë edhe tre sulmues serbë.
Millan Radoiçiq, atëbotë nënkryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - mori përgjegjësinë për sulmin.
SHIKONI EDHE:
Banjska me vendim në Prishtinë, e pa aktakuzë në BeogradTre të dënuarit kanë qenë pjesë e grupit prej 45 personash ndaj të cilëve kanë ngritur aktakuzë autoritetet e Kosovës, përfshirë Radoiçiqin. Përveç tre të dënuarve, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në arrati.
Për autoritetet e Kosovës, Radoiçiq ka qenë "udhëheqësi i grupit terrorist" dhe sulmi është organizuar nga shteti i Serbisë. Beogradi, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.
Autoritetet në Kosovë i kanë ndarë procedurat penale kundër Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodheshin në paraburgim që nga shtatori 2023, ndërsa e kanë hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për një gjykim në mungesë për 42 të pandehurit e tjerë.
Institucionet e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje rregullisht autoriteteve të Beogradit që të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmin dhe t'i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga blloku evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, autoritetet në Serbi nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, madje as ndaj Radoiçiqit i cili besohet se është në Beograd.
Gjykata e Lartë në Beograd ka bërë të ditur se ekziston vendimi që ia ndalon Radoiçiqit largimin nga banesa e tij dhe ka detyrim që të paraqitet në polici, ndërsa Zyra e Prokurorit nuk e ka komentuar ndonjë aktakuzë eventuale.