Bashkimi Evropian dhe 26 vende perëndimore dënuan “ashpër” ekzekutimet e vazhdueshme të protestuesve në Iran, duke thënë se qytetarëve të këtij vendi duhet t’u lejohet e drejta e tubimit dhe e shprehjes së pikëpamjeve të tyre pa rrezikuar jetën.
“Përdorimi i dënimit me vdekje për të heshtur disidencën, për të frikësuar komunitetet dhe për të ndëshkuar individët që ushtrojnë të drejtat e tyre nuk mund të justifikohet kurrë”, thanë BE-ja dhe vendet e tjera, nga Kanadaja deri në Rumani, në një deklaratë të përbashkët.
“Populli i Iranit duhet të jetë i lirë të ushtrojë të drejtat e tij për lirinë e shprehjes dhe tubimit paqësor, pa frikë”, thanë ata, duke i bërë thirrje Iranit që “t’i japë fund menjëherë përdorimit të dënimit me vdekje dhe të lirojë të gjithë ata që janë ndaluar në mënyrë arbitrare”.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Iranit të dëgjojë zërin e popullit të tij, teksa ai kërkon ndryshim, dhe të ndërmarrë hapa domethënës për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë.
SHIKONI EDHE:
Gjyqtari misterioz i Iranit që i çon protestuesit drejt vdekjesIrani ka përdorur gjerësisht dënimin me vdekje në shtypjen ndaj mospajtimit politik gjatë dhe pas protestave masive në janar.
Që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin më 28 shkurt, ka pasur një rritje të ekzekutimeve të personave, që organizatat për të drejtat e njeriut i konsiderojnë të burgosur politikë, nga protestuesit e deri te personat e dyshuar si anëtarë të grupeve të ndaluara dhe ata të dënuar për spiunazh.
“Shtatë muaj pas krimeve masive të kryera kundër popullit iranian, i cili u ngrit për të kërkuar drejtësi dhe dinjitet, regjimi vazhdon të derdhë gjak duke shumëfishuar ekzekutimet”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, në një postim në X.
Disa organizata për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 50 persona ndaj të cilëve janë ngritur akuza për çështje të sigurisë dhe politike janë ekzekutuar që nga fillimi i luftës, ndonëse dosa të tjera thonë se numri i të ekzekutuarve është shumë më i lartë.
SHIKONI EDHE:
Në Iran raportohet se janë ekzekutuar të paktën 71 persona gjatë korrikutIrani ekzekutoi qindra persona në gjysmën e parë të vitit 2026Protesta në Iran kundër ekzekutimeve nga shtetiSipas të dhënave të verifikuara nga organizata Iran Human Rights, 463 persona janë ekzekutuar në Iran deri më tani gjatë këtij viti, shumë prej të cilëve ishin dënuar me vdekje në lidhje me protestat e janarit, gjatë të cilave mijëra persona u vranë nga forcat e sigurisë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u arrestuan. Sërish, disa vlerësime të tjera thonë se numri është shumë më i lartë.
Përveç BE-së, deklarata u nënshkrua nga Shqipëria, Austria, Australia, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Mali i Zi, Holanda, Zelanda e Re, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar. Shtetet e Bashkuara nuk janë në listën e nënshkruesve të deklaratës.