Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se subjekti i tij opozitar më nuk mjaftohet me thirrjet që të respektohet ligjshmëria, por do të veprojë që ajo të rikthehet.
Gjatë një deklarimi nga salla plenare e Kuvendit të Kosovës, Hamza kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet për bllokim të Kuvendit të Kosovës, pasi organi ligjvënës ende nuk është konstituuar.
Sipas tij, Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, “sillet sikurse nuk ka ndodhur asgjë”, teksa organi ligjvënës ende nuk është funksional pas zgjedhjeve të qershorit.
Hamza tha se janë shkelur të gjitha afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, por edhe afati, sipas interpretimit të LVV-së, për këtë proces, duke shtuar se partia e tij nuk do të lejojë që “shkelja e Kushtetutës të bëhet praktikë”.
“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën PDK-ja nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë me përgjegjësi, me vendosmëri, me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, tha Hamza, duke premtuar se do të shqyrtojë format e veprimit politik, institucional dhe juridik për ta kthyer Kosovën "në binarët e ligjshmërisë".
Ndonëse Hamza nuk e tha në mënyrë eksplicite se veprimi politik dhe juridik i partisë së tij nënkupton adresimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, nga ky subjekt i kanë thënë Radios Evropa e Lirë një ditë më parë se dërgimi i çështjeve te gjykata më e lartë në vend do të jetë një nga masat që do të ndërmarrin, por që veprimet e tyre varen nga zhvillimet në ditët në vijim lidhur me formimin e institucioneve.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se janë duke i shqyrtuar të gjitha veprimet që bien ndesh me Kushtetutën dhe se janë duke parë modalitetet që do t’i ndjekin.
SHIKONI EDHE:
Gjykata Kushtetuese, sërish adresa e mundshme e partive opozitareSipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Ky afat ka skaduar më 7 gusht.
Seanca konstituive – që nisi më 6 gusht – është caktuar që të vazhdohet më 9 shtator nga kryesuesi i saj, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit më herët kishte argumentuar se afati 30-ditor vlen nga nisja e seancës, pra nga 6 gushti dhe ky afat, sipas këtij interpretimi, skadon sot.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka shkruar në rrjetet sociale se vendimi i Deharit që seanca të vazhdojë më 9 shtator është një “provokim i qëllimshëm” i cili, sipas tij, është po ashtu një veprim “që prodhon jostabilitet institucional”.
Ai e ka akuzuar LVV-në se nuk e respektoi afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit, por as, siç u shpreh ai, interpretimin e vetë kësaj partie lidhur me afatin se kur duhet të konstituohet organi ligjvënës.
SHIKONI EDHE:
Dehari cakton 9 shtatorin për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të KosovësLVV-ja ka këmbëngulur se konstituimit të Kuvendit duhet t’i paraprijë një marrëveshje për çështjen e presidentit.
Një marrëveshje mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë temë u arrit më 31 gusht, por vetëm një ditë pas prezantimit të Bekim Sejdiut si kandidat konsensual, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk kanë votë për të.
Pas zhvillimeve në LDK, Kurti ka thënë se për Sejdiun janë 74 vota – të pamjaftueshme që ai të bëhet presidenti i gjashtë i Republikës së Kosovës. Kjo, pasi për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja në proces e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende.
SHIKONI EDHE:
A mund të fajësohen gjashtë deputetë për dështimin e zgjedhjes së presidentit?Kurti: Marrëveshja për presidentin qëndron, me gjithë kundërshtimin e 6 deputetëve të LDK-sëLVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18. PDK-ja dhe Aleanca deri më tani kanë refuzuar që të përfshihen në negociata për çështjen e presidentit.
Nëse deputetët nuk e zgjedhin presidentin e ri, atëherë Kosova do të mbante zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për çështjen e kreut të shtetit.