Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin
Dita e festës nisi herët në mëngjes me faljen e namazit të Bajramit.
Qindra besimtarë myslimanë të moshave të ndryshme u mblodhën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe në xhami të tjera të vendit.
Udhëheqësit fetarë theksuan se kjo festë nuk është vetëm ditë gëzimi, por edhe reflektimi, duke bërë thirrje për më shumë solidaritet, mirëkuptim dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit.
Në kuadër të traditës, besimtarët kryejnë edhe therjen e kurbanit, ndërsa mishi ndahet me familjarët, miqtë dhe ata në nevojë, si shenjë e bujarisë dhe ndihmës ndaj të tjerëve.
Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës i kanë uruar besimtarët për festën, duke bërë thirrje për harmoni dhe begati në çdo familje.
Gjatë ditëve të Bajramit, qytetarët vizitojnë njëri-tjetrin, duke e shndërruar festën në një moment bashkimi dhe afërsie, jo vetëm brenda familjes, por edhe në komunitet.
Festa e Kurban Bajramit karakterizohet edhe me pelegrinazhin e Haxhit në Arabinë Saudite.
Haxhi është një nga pesë shtyllat kryesore të Islamit dhe përfaqëson pelegrinazhin që çdo besimtar mysliman duhet ta kryejë të paktën një herë në jetë, nëse ka mundësi fizike dhe financiare.
Kurban Bajrami festohet nga pothuajse të gjithë myslimanët në botë, që përbëjnë rreth 25% të popullsisë.
Urimet që e karakterizojnë festën janë të shumta: "Me fat Bajrami", "Me shëndet Bajrami" e me "Me gëzime Bajrami".