Biden njofton për sanksione të reja kundër Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të premten se Uashingtoni do t’i vendosë më shumë se 500 sanksione të reja kundër Rusisë.

Shtetet e Bashkuara synojnë ta rrisin trysninë ndaj Moskës në dyvjetorin e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

Biden tha se do të vendosen sanksione të reja në lidhje me kufizimet në eksport ndaj gati 100 subjekteve të cilat e kanë ndihmuar Rusinë, si dhe do të ndërmarrë veprime shtesë për t’ia zvogëluar Rusisë të hyrat nga energjia.

SHIKONI EDHE: Gabimi strategjik i Putinit “ishte se zgjodhi Perëndimin si armik”

Këto masa kanë për qëllim ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë dhe për vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny.

“Këto sanksione do të shënjestrojnë individë të lidhur me burgosjen e Navalnyt, por edhe sektorin financiar të Rusisë, atë të mbrojtjes, rrjetet e prokurimit dhe shmangësit e sanksioneve në vende të tjera”, tha Biden.

Navalny, një kritik i zëshëm i Kremlinit, vdiq më 16 shkurt në rrethana të dyshimta në një burg të Arktikut në veri të Rusisë. Ai po vuante një dënim të gjatë për akuza për ekstremizëm që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Your browser doesn’t support HTML5

Profil: Kush ishte udhëheqësi opozitar rus, Aleksei Navalny?

“Ato [sanksionet] do të sigurohen që Putini do ta paguajë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe për shtypjen brenda vendit”, tha Biden.

Presidenti amerikan njoftoi se sanksionet po ashtu synojnë të godasin të ardhurat e Rusisë nga energjia.

"Kam udhëzuar ekipin tim të forcojë mbështetjen për sektorin civil, për mediat e pavarura dhe për ata që luftojnë për demokraci në mbarë botën", tha presidenti amerikan.

SHIKONI EDHE: Britania vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Këto sanksione janë më të fundit nga mijëra sanksione që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i vendosën kundër Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Sipas Bidenit, Putin ka bërë "llogari të gabuara" me nisjen e pushtimit të Ukrainës.

Si pasojë e agresionit rus janë vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe janë shkatërruar shumë qytete.