Bosnja i dërgon notë proteste Hungarisë për pritjen e Dodikut në Budapest

Ministri i Jashtëm hungarez, Petera Szijjarto, e mirëpret Millorad Dodikun në selinë e tij në Budapest, 4 shtator 2025.

Ministria e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës i ka dërguar të premten notë proteste Hungarisë pasi ministri i saj i Jashtëm, Peter Szijjarto, e cilësoi Millorad Dodikun si president të Republikës Sërpska gjatë një takimi në Budapest, pavarësisht se gjykata ia ka hequr mandatin atij.

Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e Dodikut nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.

Si pasojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës ia hoqi mandatin atij dhe shpalli zgjedhje të parakohshme në entitetin serb të Bosnjës për 23 nëntor.

Dodik nuk i ka pranuar këto vendime dhe Kuvendi i entitetit serb thirri referendum për mosnjohjen e vendimeve të institucioneve shtetërore, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka vendosur tashmë që entitetet nuk kanë të drejtë të mbajnë referendume të tilla.

Gjatë takimit të enjten në Budapest, Szijjarto e quajti Dodikun president të entitetit serb, duke thënë se Hungaria respekton “vullnetin e votuesve” dhe tha se “as Brukseli dhe as të tjerët nuk duhet ta përcaktojnë të ardhmen” e Republikës Sërpska.

SHIKONI EDHE: Hungaria injoron vendimet në Bosnje, Szijjarto i drejtohet Dodikut si president

Ministria e Jashtme e Bosnjës tha në notën e protestës dërguar Ambasadës së Hungarisë në Sarajevë se është e “shqetësuar që gjatë vizitës së djeshme në Budapest, gjatë një paraqitjeje publike dhe në prani të ministrit Szijjarto, Millorad Dodik mbështeti ndarjen dhe kërcënoi integritetin territorial të Bosnjës, pa reagimin e pritur nga ministri Szijjarto”.

Ajo vlerësoi se veprime të tilla përfaqësojnë shkelje të praktikës diplomatike, mungesë respekti për vendimet e institucioneve të Bosnjës, një fyerje për qytetarët e vendit dhe kontribuojnë në krijimin e një atmosfere mosbesimi ndaj qëllimeve politike të Hungarisë.

Hungaria kanë marrëdhënie të mira me Dodikun dhe Budapesti ka bllokuar çdo përpjekje të Bashkimit Evropian për ta sanksionuar atë.

SHIKONI EDHE: Bojkot dhe pasiguri para zgjedhjeve në Republikën Sërpska

Një muaj më parë, Dodik u takua në Budapest edhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, pas vendimit përfundimtar të gjykatës, por para se t'i revokohej mandati.

Në atë kohë, Orban tha se "nuk e njeh" vendimin e Gjykatës së Bosnjës.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të Bosnjës, entiteti Republika Sërpska mori hua rreth 110 milionë euro nga Banka Hungareze EXIM në vitin 2022, dhe në fund të prillit 2025, ky entitet i detyrohej bankës hungareze rreth 112 milionë euro.