Shkurtimisht
- Kina hapi në Sarajevë Qendrën Kërkimore për zhvillimin e konceptit “komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”.
- Sipas analistëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ky vend u zgjodh për faktin se nuk është pjesë e NATO-s dhe nuk është ende anëtar i BE-së - gjë që i jep Kinës më shumë hapësirë për të ndikuar dhe për të promovuar idetë e saj politike dhe ideologjike.
Pas disa vitesh pranie përmes projekteve infrastrukturore dhe energjetike, si dhe programeve arsimore e kulturore, Kina fitoi në Bosnje dhe Hercegovinë edhe një qendër kërkimore, e cila ndjek konceptin e politikës së jashtme të presidentit Xi Jinping.
Qendra Kërkimore për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, e hapur nga Ambasada kineze në Sarajevë disa ditë më parë, u paraqit si platformë për shkëmbime akademike dhe profesionale në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Zyrtarët kinezë, gjatë hapjes, vlerësuan se ajo vjen në kohën e “ndryshimeve të mëdha globale, që tregojnë se shtetet nuk mund të veprojnë në izolim, prandaj dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave janë kyç”.
Nga Ambasada e Kinës në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për objektivat konkrete dhe aktivitetet e qendrës, ndërsa as koordinatori i saj, Faruk Boriq, nuk deshi të fliste për këtë.
Duke folur gjatë hapjes së qendrës në Sarajevë, ambasadorja e Kinës, Li Fan, vlerësoi se kjo është “një ngjarje e rëndësishme në marrëdhëniet mes Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kinës”.
Ajo tha se pret që ky institucion të bëhet një platformë e rëndësishme për kërkime akademike dhe shkëmbime profesionale.
Gjatë ceremonisë së hapjes, ku morën pjesë zyrtarë kinezë dhe boshnjakë, u tha gjithashtu se qëllimi është të zhvillohen kërkime mbi transformimet e rendit ndërkombëtar dhe lidhje mes Bosnje dhe Hercegovinës dhe qarqeve akademike ndërkombëtare.
Duke komentuar hapjen e qendrës kërkimore, Damir Kapixhiq, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Sarajevë, thotë se bëhet fjalë për një formë të “fuqisë së butë”.
“Ajo është projeksion i ideve të caktuara, qoftë për rendin global, qoftë për mënyrën e organizimit të shteteve jashtë Kinës”, sipas tij.
SHIKONI EDHE:
Nga studimet te lëvdatat në TikTok: Fushata e heshtur e ndikimit kinez në BallkanÇfarë është koncepti “komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”?
Koncepti “komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin” në dokumentet zyrtare kineze përshkruhet si pjesë e një vizioni më të gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare, i bazuar në multilateralizëm dhe bashkëpunim global.
Ai zbatohet përmes një rrjeti qendrash kërkimore dhe akademike partnere në disa vende.
Në punimet e Joshua Eisenmanit, ekspert amerikan për politikën e jashtme kineze, kjo qasje përdoret për të përshkruar mënyrën se si Kina ndërton dhe mban rrjete marrëdhëniesh jashtë vendit, përmes një kombinimi instrumentesh politike, ekonomike dhe institucionale.
Instituti për komunitetin me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin është themeluar në vitin 2019 pranë Universitetit kinez për Komunikim, me detyrën për të promovuar këtë koncept dhe për të krijuar qendra partnere jashtë vendit.
Sipas burimeve të disponueshme publikisht, që nga viti 2020 janë krijuar një sërë qendrash të lidhura me këtë ide në shtete të ndryshme, si për shembull në Pakistan.
Qendra në Sarajevë është paraqitur si një iniciativë e lidhur me Universitetin për Punë të Jashtme në Pekin.
Në këtë universitet, që nga fillimi i vitit 2025, funksionon edhe një qendër kërkimore me të njëjtin emër, e cila është hapur nga Wang Yi, ministër i Jashtëm i Kinës dhe zyrtar i lartë i Partisë Komuniste të Kinës.
Ai, atëkohë, tha se ndërtimi i komunitetit me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin është një ide origjinale e presidentit kinez, Xi Jinping, ndërsa qendra duhet të ofrojë mbështetje teorike, politike, komunikuese dhe kadrovike për diplomacinë kineze.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi.
Analistja për marrëdhëniet Kinë-Ballkani Perëndimor dhe kryetarja e organizatës ESTIMA, Ana Krstinovska, vlerëson se është e vështirë të ndahet dimensioni akademik i këtyre iniciativave nga strategjia më e gjerë e politikës së jashtme kineze.
“Aktualisht, kërkimi i vërtetë akademik nënkupton liri akademike, ndërsa, në rastin e Kinës, shprehja akademike është e varur nga udhëzimet dhe kornizat e përgjithshme që ka vendosur shteti. Prandaj, mund të pritet që kërkimet të zgjedhin shembuj dhe argumente në mënyrë selektive, për ta paraqitur Kinën në një dritë pozitive, me shumë pak hapësirë për kundërshtim ose debat kritik”, thotë Krstinovska për Radion Evropa e Lirë.
Pse u hap qendra në Sarajevë?
Kapixhiq mendon se arsyeja përse qendra u hap në këtë pjesë të Evropës është fakti që ajo “nuk është e lidhur me NATO-n”.
“Ajo, gjithashtu, nuk është e lidhur me Bashkimin Evropian. Kjo mungesë e pranisë në organizatat ndërkombëtare perëndimore i jep mundësi Kinës që të projektojë këtu - le të themi - synimet e saj politike dhe ideologjike”, thotë Kapixhiq.
Damir Kapixhiq
Ai shton se në Bosnje dhe Hercegovinë ekziston një prani e fortë ndërkombëtare, kryesisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, dhe se Kina, gjithashtu, “dëshiron ta ketë një pjesë të kësaj pranie ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Sipas Kapixhiqit, ky koncept i strategjisë kineze, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe roli i qendrës së hapur në Bosnje dhe Hercegovinë do të varen plotësisht nga shuma e parave që do të investohen.
“Nëse bëhet fjalë vetëm për një qendër që ka disa programe dhe është më shumë si promovim i veprimtarisë së Kinës, atëherë nuk mund të arrihet shumë. Nëse këto qendra shoqërohen me një ndihmë të gjerë ndërkombëtare, ngjashëm me [organizatën amerikane] USAID, atëherë mund të arrihet ndikim i konsiderueshëm për një periudhë kohe, sepse ‘fuqia e butë’ nuk realizohet vetëm përmes pranisë, por edhe përmes mbështetjes. Dhe, kjo mund të përfshijë gjithçka, nga shëndetësia deri te çështjet që lidhen me mbështetjen e mediave”, thotë Kapixhiq.
Vazhdim i iniciativave të mëparshme
Lilana Steviq, drejtoreshë e Institutit Konfuci në Universitetin e Banjallukës, thotë se qendra e re mund të shihet si vazhdim i iniciativave të mëparshme kineze, të fokusuara në studimin e politikës bashkëkohore kineze dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Lilana Steviq
Steviq thekson se nuk është e informuar për planet konkrete të punës dhe kornizën institucionale, por se emri i qendrës tregon për konceptin “komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”, i cili, siç thotë, zë vend të rëndësishëm në diskursin bashkëkohor të politikës së jashtme kineze.
“Ajo shpesh lidhet me vizionin e marrëdhënieve ndërkombëtare që promovohet nga udhëheqja kineze”, thotë Steviq, duke shtuar se mund të përfaqësojë një hapësirë për studimin e koncepteve bashkëkohore politike kineze, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe transformimeve të mendimit diplomatik kinez.
Steviq, e cila është autore e punimeve për diplomacinë kulturore kineze dhe konceptin e “fuqisë së butë” nga këndvështrimi i Kinës në rajon dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se, duke marrë parasysh mënyrën se si është konceptuar qendra, ajo vështirë se mund të shihet si një institucion thjesht akademik.
“Puna e saj, me shumë gjasë, do të zhvillohet në ndërthurjen e kërkimit shkencor, punës profesionale dhe bashkëpunimit diplomatik”, thotë Steviq.
Ajo thekson se shumë shtete evropiane, prej dekadash, zhvillojnë qendra të specializuara kërkimore për Kinën, të cilat mbledhin ekspertë të aftë për të analizuar burimet kineze dhe konceptet bashkëkohore politike nga perspektiva e tyre origjinale.
“Nëse do të zhvillohej në një drejtim të tillë, mund të kontribuonte në një kuptim më të mirë të diplomacisë kineze, mendimit politik dhe strategjive zhvillimore - gjë që do t’i mundësonte Bosnje dhe Hercegovinës ta shihte praninë kineze përtej narrativëve të thjeshtuar që e paraqesin Kinën vetëm si kërcënim ose vetëm si mundësi”, thekson Steviq.
SHIKONI EDHE:
A po hyn Bosnja në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Kinës?“Një model më i gjerë i veprimit kinez”
Ndryshe nga Steviq, e cila thekson dimensionin akademik të qendrës, Krstinovska mendon se ajo duhet parë kryesisht në kontekstin e strategjisë kineze për ndikim ndërkombëtar.
“Qendra, me shumë gjasa, do të përfaqësojë edhe një mjet dhe kanal për përhapjen e qëndrimeve zyrtare kineze, forcimin e ‘fuqisë së butë’ kineze dhe pranisë intelektuale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe rajon. Ajo vjen në një moment të dobësimit të përgjithshëm të mbështetjes dhe angazhimit perëndimor - gjë që mund të rrisë ndikimin e saj, të normalizojë praninë e Kinës në qarqet akademike dhe analitike dhe të forcojë jehonën e narrativëve kinezë në shoqërinë e Bosnje dhe Hercegovinës dhe më gjerë”, thotë ajo.
Krstinovska shton se këto institucione duhet të shihen në kontekstin e përpjekjeve më të gjera diplomatike dhe politike të Kinës.
Ana Krstinovska
“Qendra, me shumë gjasa, do të nxisë dialogun, por në mënyrë të kontrolluar dhe pa hapësirë për kritikë serioze. Në të njëjtën kohë do të ketë një funksion të dyfishtë: do të shërbejë si platformë për mbledhjen e të dhënave dhe reagimeve mbi aktivitetet kineze në rajon, por edhe si kanal për përhapjen, testimin dhe promovimin e ideve kyç dhe mesazheve të politikës së jashtme kineze”, mendon Krstinovska.
Sipas saj, krijimi i qendrave të ngjashme nuk është një fenomen i ri.
“Aktivitet të tillë kemi parë edhe më herët përmes qendrave të lidhura me nismën ‘Brezi dhe rruga’, si dhe përmes mekanizmave të ndryshëm të bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore”, thotë ajo.
Në kërkimet publike mbi ndikimin kinez në Bosnje dhe Hercegovinë vlerësohet se ky ndikim shfaqet kryesisht përmes instrumenteve ekonomike, institucionale dhe kulturore, dhe më pak përmes kanaleve të drejtpërdrejta politike.
Pjesa më e madhe e aktiviteteve kineze lidhet me projekte në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës, përfshirë edhe kredi dhe kontrata me kompani kineze.
Këto shpesh janë tema të debatit publik për kushtet financiare dhe për mungesën e transparencës.
Të dhënat e Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja tregojnë se nga viti 2010 deri më 2022, Bosnje dhe Hercegovina mori hua nga kreditorët kinezë më shumë se 2.44 miliardë dollarë, kryesisht për ndërtimin e autostradave, hidrocentraleve dhe termocentraleve.